Kosova

Për 5 vjet u larguan 170 mijë qytetarë

Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil

Migrimi i qytetarëve të Kosovës nëpër vende të ndryshme, kryesisht ato evropiane, pavarësisht perceptimit se ka shënuar rritje, sipas të dhënave zyrtare ka shënuar rënie.

Sipas një raporti të publikuar ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil, përcjell albinfo.ch.

Trendi i emigrimit në Republikën e Kosovës thuhet në këtë raport, ka pasur një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2016, përderisa pas vitit 2016 emigrimi se ka shënuar rënie të konsiderueshme.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë migruar nga vendi gjatë kësaj periudhe ishte viti 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë, shumica prej tyre në formë të parregullt. Derisa, në vitin në vitin 2017 emigrimi ka shënuar rënie dhe atë në rreth 12 mijë qytetarë. Pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2017, ishin emigrantët të rregullt dhe arsyet ishin: bashkimi familjar, martesat, punësimi, studimi, etj.

Qytetarët e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, migruan kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, por kishte edhe qytetarë që u evidentuan se emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Sa u përket të dhënave për vitin 2018, ato nuk janë finalizuar ende nga autoritetet e Kosovës, por sipas disa të dhënave që i janë dhënë Radios Evropa e Lirë nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tregohet se trendi i emigrimit ka shënuar rënie edhe gjatë vitit 2018.

Sefedin Kuçi, udhëheqës i Divizionit për planifikim dhe statistika në Ministrinë e Punëve të Brendshme thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat për numrin total të emigrantëve të Kosovës për vitin 2018 nuk dihen, por dihet se janë rreth 3500 qytetarë, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e BE-së përgjatë vitit 2018.

Ai thekson se rreth 98 për qind e këtyre kërkesave për azil të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së gjatë vitit 2018, janë refuzuar.

Ky trend i rënies së emigrimit të parregullt, shton Kuçi, do të ketë ndikim pozitiv edhe në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza.

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut emigrimin e qytetarëve të Kosovës për në vendet e ndryshme të botës e konsiderojnë si mjaft shqetësues.

Kosova shton ai është një vend, i cili nuk është duke iu ofruar kushte elementare qytetarëve të saj dhe perspektivë të rinjve.

Ai thotë se të rinjtë nga Kosova po emigrojnë duke kaluar në rrugë të rrezikshme dhe po ju rrezikohet edhe jeta.

Në anën tjetër, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se numri i qytetarëve, të cilët po lëshojnë vendin është shqetësues dhe se edhe pavarësisht kësaj, siç thotë Mazreku, institucionet e Kosovës po e neglizhojnë këtë dukuri.

Në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte theksuar se emigrimi i lartë do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit kishte përfshirë grup-moshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.

Shqetësuese, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbetet emigrimi i qytetarëve me nivel të lartë të edukimit.

“Emigrimi po ndodh për shkak të mundësive më të mira për të bërë karrierë dhe kushteve socio-ekonomike në vendet e destinacionit, siç është evidente mjekët po emigrojnë në Gjermani. Bazuar në këtë, Kosova gradualisht po ballafaqohet me fenomenin e ‘Ikjes së trurit’ ose me humbjen e kuadrove”, thuhet në raportin e Ministrisë.

Popullata me origjinë nga Kosova që jeton jashtë vendit më 2017 është llogaritur të jetë më shumë se 800 mijë, që është ekuivalente me 46.36 për qind e popullatës që jeton në Kosovë.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, i bërë në vitin 2011, numri i qytetarëve të Kosovës është llogaritur të jetë rreth 1.8 milion.