Lajme

Pas rritjes së rasteve, Solothurni zgjeron detyrimin për maskë në shkolla

Në shkollën kantonale të Oltenit, një mësimdhënës është testuar pozitivisht për Covid-19 këtë javë. Më vonë, testimi i një të riu,  nxënës i po kësaj shkolle, gjithashtu ka rezultuar pozitiv

Kantoni i Solothurnit ka vendosur të zgjerojë detyrimin  për mbajtje të maskës në shkollat ​​kantonale dhe profesionale nga e hëna e ardhshme, shkruan srf.ch.

Autoritetet e kanë justifikuar këtë masë me rritjen e numrit të infeksioneve, transmeton albinfo.ch. Si shkaktarë të drejtpërdrejtë për këtë vendim kanë shërbyer tre raste me Covid-19 në qytetin Olten të këtij kantoni.

Në shkollën kantonale të Oltenit, një mësimdhënës është testuar pozitivisht për Covid-19 këtë javë, ka njoftuar Kancelaria e Shtetit, e Kantonit të Solothurnit. Më vonë, testimi i një të riu,  nxënës i po kësaj shkolle, gjithashtu ka rezultuar pozitiv.

Kjo është arsyeja pse tri klasa të kësaj shkolle ose gjithsej 57 persona, ndodhen aktualisht në karantinë, përcjell albinfo.ch. Një rast pozitiv kishte ndodhur edhe në BBZ (qendrën për formim profesional) në Olten, ku dy persona ishin në karantinë.

Vetëm në javën e kaluar, në kantonin e Solothurnit janë regjistruar 53 raste të reja, numër ky dukshëm më i madh sesa në javët e kaluara.

Departamenti i Arsimit dhe Kulturës (DBK) së bashku me mjekun kantonal ka vendosur që të hënën e ardhshme të zgjasë detyrimin për mbajtje të maskës në shkollat ​​kantonale dhe profesionale të Solothurnit.