Lajme

Pas dorëheqjes së Gashit, përkohësisht ndalen protestat

Grupi i Studentëve të Bashkuar, sot në mesditë ka njoftuar se përkohësisht do të ndërpriten protestat para Rektoratit për arsye që t’u jepet kohë institucioneve të marrin masa për zbatimin e kërkesave të tyre

Pas protestave të vazhdueshme të studentëve të Universitetit të Prishtinë, të shtunën mbrëma ka dhënë dorëheqje rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi dhe prorektori Nuri Behgjeti. Dorëheqja e tyre është pranuar nga Këshilli Drejtues i UP, duk e konsideruar si akt moral që i hap rrugën zgjidhjes së probleme në universitet.

 

Nëpërmjet një letre, Gashi thotë se paraqet dorëheqje të parevokueshme duke e parë se situata në universitet po del jashtë kontrollit pas protestave që u bënë të dhunshme.

 

“Duke qenë së situata në Universitetin e Prishtinës, kjo edhe si pasojë e zhvillimeve jashtë tij, është ndërlikuar tej mase, dhe me qëllim të normalizimi të saj, ju paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë Gashi në dorëheqjen e tij.

 

Ish-rektori thotë se vendimi pason një presion të vazhdueshëm, shpeshherë edhe të pandershëm dhe me implikime të thella politike të një grupi të studentëve, një pjese të shoqërisë civile dhe të qarqeve të caktuara politike, ndaj tij.

 

“I bindur në pafajësinë time, dorëheqja ime nuk nënkupton ikje nga përgjegjësia, adresimi i të cilës tanimë ka filluar ndaj të gjithëve, e për të cilën unë inkurajoj organet e Universitetit që t’i shkojnë deri në fund”, shkruan Gashi në letrën e tij dërguar Këshillit Drejtues të UP-së.

 

Pas Gashit, dorëheqje ka dhënë edhe prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Nuri Behgjeti.  

 

“I ndërgjegjshëm për situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës dhe duke mos e përjashtuar veten as nga sukseset e as nga dështimet e tij, unë Nuri Bexheti, prorektor për mesimdhënie dhe çështje të studentëve, jap dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo pozitë”, thuhet në letrën e tij.

 

Ai ka thënë se vendimi është marrë me bindje se kjo do t’i kontribuojë para së gjithash qetësisë në Universitetin e Prishtinës dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura.

 

Menjëherë pas këtyre dy dorëheqjeve ka reaguar këshilli Drejtues i UP-së, duke pranuar dorëheqjen dhe duke caktuar Naser Sahitin, prorektor për buxhet dhe financa, ushtrues detyre të rektorit të UP-së, deri në zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt.

 

“Deri në zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt, do të ngrihen të gjitha procedurat e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik,  shpallje të konkurseve të reja për zgjedhje apo avancim te stafit akademik, nuk do te shpallen konkurse për vende te reja në administratë si dhe anulohen konkurset aktuale për zgjedhje të stafit administrativ”, thotë KD.

 

Këshilli Drejtues i UP-së e vlerëson aktin e reflektimit të rektorit të deritashëm Ibrahim Gashi dhe e falënderon atë për punën e tij të deritanishme!

 

Mirëpo Naser Sahiti nuk e ka pranuar vendimin e Këshillit Drejtues që të jetë ushtrues detyre i rektorit. Edhe ai ka njoftuar dorëheqje nga ky post.

 

Pas zhvillimeve në UP ka reaguar edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila gjithashtu vlerëson aktin moral të dorëheqjes së rektorit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, z.Ibrahim Gashi, në funksion të zhbllokimit të funksionimit normal të punës së Universitetit.

 

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbesin të përkushtuara për të mundësuar dhe garantuar funksionimin e autonomisë së plotë të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”  dhe të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

 

Mirëpo këtu dy dorëheqje duket se nuk i kanë bindur studentët që të heqin dorë nga protesta.

 

Grupi i Pavarur i Studenteve thotë se protesta e filluara më 24.01.2014 nuk kanë pas për qëllim vetëm dorëheqjen e rektorit, por edhe verifikimin e të gjitha thirrjeve akademike dhe doktoratave, ndryshimi i Statutit të UP-së, për ta shtuar autonominë, si dhe kanë kërkuar lirimin e të gjithë protestuesve dhe pjesëmarrësve të shoqërisë civile.

 

Grupi i Studentëve të Bashkuar, në një konferencë për emia që kanë mbajtur sot në mesditë kanë njoftuar se përkohësisht do të ndërpriten protestat para Rektoratit për arsye që t’u epet kohë institucioneve të marrin masa për zbatimin e kresave të tyre.

 

Aktin e dorëheqjes së Gashit e kanë quajtur fitore të vogël të tyre.

 

Durim Jashari njëri nga organizatorët e protestave ka thënë se po kërkojnë edhe shkarkimin e Këshillit drejtues të UP-së mirëpo sipas tyre kjo është e mundur përmes ndryshimit të statutit të UP-së. Ata kanë kërkuar që çështja e statutit të diskutohet në Parlamentin e Kosovës.