Lajme

Partitë në Maqedoni, gati për zgjedhje

Zgjedhjet e 11 dhjetorit nga të gjitha partitë politike konsiderohen shumë të rëndësishme për nxjerrjen e vendi nga kriza që po zgjat qe një vit e gjysmë, ndërsa përçarjet janë evidente në të gjitha taborët

Ende pa filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni, partitë politike po përdorin një gjuhë akuzuese ndaj njëra-tjetrës. Këto zgjedhje nga të gjitha partitë konsiderohen shumë të rëndësishme për nxjerrjen e vendi nga kriza që po zgjat qe një vit e gjysmë, ndërsa përçarjet janë evidente në të gjitha taborët.

Nga partia VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit, një nga zyrtarët më të lartë të akuzuar për shpërdorim detyre, thonë se zgjedhjet do ta nxjerrin vendin nga kriza e imponuar nga opozita.

Por, nga tabori opozitar thonë se me këto zgjedhje do t’i jepet fund qeverisjes, siç thuhet, kriminale të VMRO-së. Po ashtu, edhe partitë shqiptare thonë se janë të gatshme për zgjedhje.

Listat me kandidatët për deputetë duhet të dorëzohen më së voni deri më 11 nëntor.

Në këto zgjedhje, të cilat besohet se janë më të rëndësishmet në 25 vjet demokraci të këtij shteti për shkak të aferës që përgjimeve që e ka futur vendin në një krizë pa rrugëdalje, gara kryesore vlerësohet se do të zhvillohet mes VMRO-së së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe Lidhjes Social-Demokrate të Zoran Zaev.

Kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, thotë se nga këto zgjedhje Maqedonia do të dalë më e fortë pasi do të zgjidhë krizën e imponuar, sipas tij, nga politikat antikombëtare të opozitës.

“Ne si parti dhe koalicion jemi të gatshëm në çdo aspekt. Programin zgjedhor tashmë e kemi mbyllur. Në terren jemi maksimalisht të pranishëm në komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët. Pra, jemi të përgatitur për një fitore edhe më të fuqishme, fitore e cila Maqedonisë do t’i sigurojë stabilitet të qëndrueshëm, prosperitet ekonomik. Kjo fitore do ta nxjerr vendin nga kriza në të cilën e ka futur opozita”, ka deklaruar Kryetari i VMRO DPMNE, Gruevski, citon REL.

Ai njoftoi se do të jetë bartës në gjashtë njësitë zgjedhore ndërsa nuk tregoi nëse funksionarët e tjerë apo ish- funksionarët e kësaj partie të akuzuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim detyre do të jenë në listat e kandidatëve për deputet.

Edhe partia tjetër në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarët e së cilës po ashtu akuzohen për shpërdorim detyre, thotë se është e gatshme për zgjedhje dhe se çdo moment anëtarët e saj do të kyçen në fushatën zgjedhore.

“BDI-ja është e konsoliduar për zbatimin e politikave të saj. Kjo parti trason një rrugë që nga viti 2001 dhe që çdo shqiptari i ofron ardhmëri më të mirë shoqërore në Maqedoni”, ka deklaruar Bekim Neziri, kryetar i shtabit qendror zgjedhor të BDI-së.

Kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev thotë se blloku opozitar do të jetë i përfaqësuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë, me intelektualë e qytetarë dhe qëllim parësor do të ketë dhënien fund, të siç thotë ai, “të qeverisjes kriminale të partive në pushtet”.

“Lidhja Sociale-Demokrate dhe partitë e majta dhe të qendrës kanë arritur koalicion me qytetarët dhe se ata do të jenë të përfaqësuar në të gjitha listat tona. Besoj se ndryshimet po vijnë dhe ato do të ndodhin më 11 dhjetor me fitoren e madhe të opozitës e cila do t’i jep fund qeverisjes kriminale të partive aktuale në pushtet”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, thonë se së shpejti do të dalin me listat e kandidatëve për deputetë ndërsa paralajmërojnë rifreskim të kuadrove të saj. Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi beson se opozita do të fitonte zgjedhjet nëse ato vërtetë do të ishin të lira dhe demokratike.

Përgatitjet për zgjedhjet janë duke i përfunduar edhe partitë jashtëparlamentare shqiptare, që pritet të jenë konkurruese në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ato nuk arritën marrëveshje bashkëpunimi duke formuar dy blloqe politike që drejtohen nga lëvizja politike Besa dhe Lëvizja për Reforma e PDSH-së.

Madje në këto zgjedhje me shumë entuziazëm dhe optimizëm ka hyrë edhe Ziadin Sela, i cili përfaqëson Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, një fraksion që ka dalë nga kjo parti. Sela, aktualisht kryetar i Strugës, ka mbledhë rreth vetës një grup intelektualësh të pakënaqur dhe shpreson disa vende në Kuvend.