Lajme

Partitë me premtime edhe për Diasporën

Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë premtojnë imazh e tretman më të mirë për Diasporën

Prishtinë – Në kohën kur janë afruar ditët e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që pritet të mbahen më 12 dhjetor, partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet për të bindur elektoratin që t’ ua hedhin votën atyre.

Në mesin e premtimeve nuk mungojnë edhe ato për kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Premtimet për mërgatën janë më të ndryshme. Premtime se do të rregullojnë infrastrukturën ligjore e teknike që mërgata ta ketë më të lehtë qoftë ndonjë investim eventual, e qoftë nxjerrjen e dokumenteve në vendet ku jetojnë. Premtimet vijnë nga partitë që kanë qenë në  pushtet, por edhe nga ato që majën e pushtetit e synojnë tani.

Më e bujshmja me premtime për mërgatën është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këto zgjedhje kandidon me 110 kandidatë për deputetë, derisa lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, gjendet në Tribunalin e Hagës në pritje të rigjykimit.

Ndonëse liderin e kanë prapa grilave, zyrtarë nga AAK-ja janë të bindur në fitore, e madje zotohen se mërgatën e Kosovës nuk do ta lënë anash, përkundrazi do të kenë një program ndryshe nga më parë.

Burim Ramadani, sekretar i kësaj partie, zotohet se AAK-ja në rast të marrjes së pushtetit do të krijojë edhe një ministri të veçantë për mërgatën. “Mërgatën assesi nuk do ta lëmë anash. Në listën e AAK-së gjendet edhe një përfaqësues që jeton në Zvicër. Është Lan Avdija”, shpjegon Ramadani.

AAK-ja, sipas tij, do të krijojë një ministri të veçantë për mërgatën, ngase sipas tij, mërgata deri tani është anashkaluar. “Do të formojmë ministri të veçantë dhe atë për tri qëllime: për ofrimin e shërbimeve administrative më të mira për mërgatën, për thithjen e trurit të mërgatës si dhe për lehtësimin e investimeve ekonomike nga ana e tyre”, shton më tej ai. Programi për krijimin e ministrisë, sipas tij, është plani i vetëm që e ka AAK-ja dhe sipas Ramadanit, asnjë parti tjetër nuk e ka në program një gjë të tillë. “Qeveria në dorëheqje jo vetëm që ka dështuar në çështjen e mërgatës, por edhe nuk i ka respektuar, ngase nuk ka arritur as të ofrojë shërbime siç duhet nëpër konsullata. Së pari, ata i kanë ofenduar njerëzit që janë shkolluar atje, ngase ka dërguar staf nga Kosova, e nuk i ka respektuar ata që janë atje’, ka pohuar ai.

Ndryshe nga AAK-ja, Lidhja Demokratike e Dardanisë mendon vetëm të fuqizojë konsullatat aktuale dhe nuk ka ndonjë plan tjetër konkret. Anëtari i kësaj partie, Gani Geci, në një bisedë për albinfo.ch ka pohuar se partia që ai përfaqëson ka strukturat në shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Zvicrën dhe, sipas tij, strukturat e partisë në vende të ndryshme do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për mërgatën.

“Ne kemi një program të qartë për diasporën, ngase deri më tani nga mërgata vetëm kemi marrë të holla, e nuk iu kemi ofruar asgjë. LDD-ja ka një strategji me të cilën do të përmirësohet shërbimi në konsullata”, thotë Geci.

Ai përmend rastin e Shqipërisë që, sipas tij, është ngritur nga diaspora. “Ne kemi në program që të mos marrim vetëm të holla siç ka ndodhur deri më tani, por t’ i kthejmë diasporën si investitorë në Kosovë”, thotë Geci.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i kontaktuar nga albinfo.ch nuk ka pohuar nëse kjo parti ka program të veçantë për diasporën, por ka udhëzuar që të kontaktojmë me ndonjë zyrtarë tjetër të kësaj partie.

Ndryshe, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe dy partitë e reja që do të kandidojnë në këto zgjedhje, Fryma e Re e “Vetëvendosja”, sipas zyrtarëve të tyre, kanë plane për diasporën dhe zotohen se do të përmirësojnë imazhin e tretmanin e tyre në shoqërinë kosovare në rast të marrjes së votave.