Lajme

Paratë e diasporës e ndihmojnë Kosovën

Nga 500 milionë euro që vijnë çdo vit në Kosovë nga diaspora, gjysma janë nga mërgimtarët që jetojnë në Zvicër dhe Gjermani

Ka më shumë se tre vjet që Kosova është shtet, por në ekonominë e saj, duket se jo shumë gjëra kanë ndryshuar.

Në këtë drejtim, vendi vazhdon të jetë i varur jashtëzakonisht shumë nga remitencat (dërgesat) e diasporës së madhe, që jeton kryesisht në shtetet e pasura të Evropës perëndimore dhe ato përtej Atlantikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Milionat që vijnë brenda vitit, bëjnë që ekonomia e Kosovës, edhe nëse nuk mund të zhvillohet, së paku mbahet në nivele deri diku normale.

Në fakt, këto janë edhe të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, zyrtarët e së cilës, bazuar në të dhëna konkrete sqarojnë se këto dërgesa vazhdojnë të paraqesin njërën ndër format më të rëndësishme të hyrjes së kapitalit në vend.

Dhe duket se ato nuk janë pak. Sipas shifrave zyrtare, që nga viti 2006, mesatarisht, çdo vit në Kosovë, nga diaspora hyjnë rreth 500 milionë euro.

Kjo në të vërtetë do të thotë se dërgesat e diasporës së Kosovës, janë gati sa gjysma e buxhetit të përgjithshëm të shtetit që këtë vit ka qenë rreth 1 miliard e 400 milionë euro.

Por bazuar në të dhënat zyrtare të bankës Qendrore të Kosovës,të siguruara nga Albinfo, niveli më i lartë i dërgesave nga ana e diasporës, ishte në vitin 2008.

Në atë vit, dërgesat arritën në nivelin prej 535.4 milionë euro ndonëse kjo është koha kur ekonominë botërore e pllakosi kaosi nga recesioni.

Por derisa në vitin 2008, kjo krizë duket se nuk u ndie shumë tek mërgimtarët e Kosovës, sipas zyrtarëve të BQK-së, ajo duket se dha efektet e saj një vit më vonë.

Kështu, në vitin 2009 është vërejtur një rënie e lehtë prej rreth 5.5 për qind e remitencave, ulje që u ndërpre vitin pasues kur, në vitin 2010, dërgesat u rritën me 1.9 për qind dhe arritën nivelin e 511.6 milionë eurove.

Sokol Havolli

Milionat nga Zvicra e Gjermania

Sokol Havolli,  ekonomist i lartë në Drejtorinë e Analizave Ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës, shpjegon për Albinfo se mbi gjysma e dërgesave të parave të emigrantëve, vijnë nga Gjermania dhe Zvicra.

“Kjo, për shkakun se pjesa më e madhe e diasporës kosovare është e vendosur pikërisht në këto dy vende. Ndërsa në përgjithësi, afër 90 për qind e dërgesave vijnë nga vendet e Bashkimit Europian”, tregon zyrtari i lartë në BQK.

I pyetur nga Albinfo se sa pritet që këtë vit të jetë përqindja e remitencave, Havolli shpjegon se dërgesat e emigrantëve janë komponenti që më së paku ndryshon gjatë viteve sepse ato vazhdimisht janë të qëndrueshme dhe gradualisht rriten ose zvogëlohen.

“Në tremujorin e parë të vitit 2011, dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rritje prej 4 për qind duke arritur nivelin prej 111.3 milionë euro. Kjo nënkupton që dërgesat gjatë vitit 2011 pritet të jenë më të larta se në vitin 2010”, thotë ekonomisti Havolli. 

Me fjalë të tjera, nëse në vitin 2010, dërgesat e diasporës drejt Kosovës arritën në nivelin e 511.6 milionë eurove, atëherë këtë vit pritet që kjo shifër të jetë edhe më e lartë.

Madje kjo rritje pritet të jetë goxha e lartë kur krahasohen të dhënat e tre mujorit të parë për vitin 2010 dhe tre muajin e parë të këtij viti, pasi diferenca është rreth 8 milionë më shumë.

Qëndrueshmëria ekonomike e Kosovës varet shumë nga dërgesat e diasporës dhe sipas ekonomisti Havolli, remitencat e emigrantëve gjithmonë kanë qenë afër 14 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

“Në Kosovë, diku rreth 20-30 për qind e familjeve marrin dërgesa nga diaspora dhe për shumë nga këto familje, dërgesat e emigrantëve janë burimi i vetëm i të ardhurave”, tregon Havolli për Albinfo.

Sikur mërgimtarët të mos dërgonin këto para, atëherë niveli i lartë i papunësisë do të bënte që të gjithë ata qytetarë të kërkonin ndihmë nga shteti dhe kjo do të ishte barrë e rëndë për buxhetin e vendit.

Sidoqoftë, rritja ekonomike nga dërgesat e emigrantëve nuk është rritje e qëndrueshme, pasi një pjesë e madhe e tyre konsumohen dhe nuk përdoren për aktivitete ekonomike të cilat do të kishin vlerë të shtuar dhe efekt më afatgjatë në ekonomi.

“Hapja e bizneseve në Kosovë nga diaspora do të ndikonte në ekonominë tonë duke rritur varietetin e produkteve dhe shërbimeve në tregun e Kosovës si dhe duke krijuar vende të reja pune”, thotë Havolli.

Ai beson se suksesi i investimeve të diasporës është gjithmonë sinjali më i mirë për investitorët e huaj, sidomos kur merret parasysh fakti se bizneset e mërgimtarëve janë në shumicën e rasteve pjesë e asociacioneve tregtare dhe organizatave tjera të bizneseve dhe industrive të ndryshme, njësoj sikur bizneset gjermane, zvicerane apo austriake.

Për çfarë përdoren këto para?

Në fakt, edhe ekonomistë të tjerë tregojnë se paratë që vijnë nga diaspora janë shumë të nevojshme për Kosovën dhe ekonominë e saj.

Rudina Heroi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, është shprehur se 50 për qind e remitencave shpenzohen vetëm për konsum, rreth 10 për qind për arsim, ndërsa një përqindje tjetër investohet në biznes.

Heroi thotë se menaxhimi më i mirë i dërgesave nga jashtë do të mund të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe për këtë arsye shpreson se Ministria e Diasporës do të bëjë diçka.

“Do të duhej t’u krijoheshin kushte më të mira për të investuar sepse fatkeqësisht, këto remitenca tani kontribuojnë vetëm në zbutjen e varfërisë, por jo edhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ajo.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Diasporës thonë se prioritet në agjendën e tyre e kanë krijimin e një ambienti më të favorshëm për tërheqjen e investimeve të kosovarëve që jetojnë jashtë.

Xhevdet Sfarça, këshilltar politik në Ministrinë e Diaspores

Sa i përket remitencave, Xhevdet Sfarça, këshilltar politik në këtë ministri, thotë se janë duke identifikuar mundësitë që mjetet financiare të mërgimtarëve të arrijnë në Kosovë pa paguar kamatë nëpër bankat komerciale.

“Ministri Makolli tashmë ka biseduar me drejtuesit e BQK-së, dhe ka ngritur çështjen e identifikimit të mundësive ku mjetet financiare të mërgimtarëve do të vinin duke paguar zero kamatë, e jo siç është tash, ku për pagesat e tyre diaspora jonë paguan normë të lartë të kamatave”, është shprehur Sfarça.

Pavarësisht kësaj, ekspertët e kësaj fushe tregojnë se ekonomia e Kosovës në vitet e fundit po tregon prospekte mjaft të mira për rritje, pasi reforma të vazhdueshme po ndërmerren me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm për biznes.

“Ekonomia e Kosovës ka një fuqi punëtore gjithnjë në rritje dhe e cila adaptohet shumë shpejt ndaj ndryshimeve si teknologjike ashtu edhe në njohuritë tjera të përgjithshme si në kulturë të punës. Prandaj, sa më shpejtë të zhvendoset fokusi i diasporës nga dërgesat për financim të konsumit në investime, aq më mirë dhe më qëndrueshëm do të rritet ekonomia e Kosovës”, thotë Sokol Havolli nga BQK-ja.

Zero kamatë për dërgesat e mërgimtarëve?

Svarça: “Ministri Makolli tashmë ka biseduar me drejtuesit e BQK-së, dhe ka ngritur çështjen e identifikimit të mundësive ku mjetet financiare të mërgimtarëve do të vinin duke paguar zero kamatë, e jo siç është tash, ku për pagesat e tyre diaspora jonë paguan normë të lartë të kamatave”