Futboll
Pajtim Kasami rrëfen vitin më të vështirë të karrierës

Mes pasigurive dhe zhgënjimeve, Pajtim Kasami po kalon një nga momentet më të ndërlikuara të karrierës së tij 15-vjeçare si futbollist profesionist. Ish-mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës është aktualisht pa klub, pasi pak ditë më parë përfundoi kontratën me FC Sion – klub ku u kthye në janar pas një periudhe të vështirë te Sampdoria në Itali.
Në një intervistë për gazetën Blick, 33-vjeçari ka folur me sinqeritet për vitin e kaluar, sfidat me mungesën e minutave në fushë dhe të ardhmen që e pret, e cila, sipas tij, duhet të ndërtohet mbi besim dhe një vizion të qartë nga klubi i ardhshëm, transmeton albinfo.ch.
“Nuk pata kurrë mundësinë të tregoja veten te Sion”, tha ai. Edhe pse erdhi në Valais me qëllimin për të ndihmuar skuadrën në betejën për mbijetesë, Kasami thotë se nuk u aktivizua asnjëherë në formacionin bazë, pavarësisht se ishte kthyer në formë pas disa javësh.
Rikthimi në Sion ishte i motivuar nga një lidhje personale me klubin. “Kisha kujtime të bukura nga tre vitet e para dhe një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Christian Constantin. E zgjodha me zemër, jo me mendje,” shton ai.
Ndërsa periudha te Sampdoria, një sezon më parë, ishte fillimisht e suksesshme, gjithçka ndryshoi me ardhjen e një drejtori të ri sportiv. “Atmosfera u bë toksike, ekipi u ndryshua pothuajse tërësisht dhe në pushimin dimëror më thanë se nuk isha më pjesë e planeve,” kujton Kasami. Kjo përvojë e vështirë ndikoi emocionalisht, por ai thotë se mbështetja e familjes ishte vendimtare për ta përballuar.
Kasami e sheh ende Italinë si një opsion serioz për të vazhduar karrierën. “Kam dy shtëpi – në Itali më njohin, më respektojnë dhe ka klube të interesuara. Dhe në Zvicër jeton familja ime,” tregon ai, transmeton albinfo.ch.
I pyetur për ndonjë rikthim të mundshëm në Zyrih, mes Grasshoppers (GC) dhe FC Zurich, përgjigjja e tij është e qartë: “Unë jam një djalë i GC. Kam luajtur aty që i vogël. Vetëm ideja për të veshur sërish atë fanellë më emocionon.”
Megjithatë, për momentin nuk ka bisedime konkrete me ndonjë klub. Kasami thekson se dëshiron ta marrë kohën e nevojshme për të zgjedhur projektin e duhur: “Dua që klubi të ketë një trajner dhe drejtor sportiv që besojnë te unë dhe kanë një plan të qartë. Pastaj, unë do ta shpërblej atë besim.”
Edhe pse aktualisht është i fokusuar në gjetjen e një klubi të ri si lojtar, Kasami nuk e përjashton një të ardhme si trajner. “Sapo përfundova një kurs trajneri për licencën UEFA B në Angli. Ishte një përvojë shumë frymëzuese. Por për momentin, dua të luaj. Kam ende shumë për të dhënë në fushë.”
Në mbyllje, Pajtim Kasami tregon një vetëdije të thellë për realitetin e futbollit modern dhe mbetet i hapur për një kapitull të ri – me një kusht: të ndihet i dëshiruar, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Ka ushtruar dhunë mbi gruan: Kosovari lejohet të qëndrojë në Gjermani, për shkak të martesës! Si argument për qëndrimin e tij të përkohshëm në Gjermani, gjykata përmend faktin se gruaja e...
-
Mërgimtarit nga Suedia i vidhen mijera euro, stoli ari dhe dokumente në Kosovë
-
Enesi shënon sukses në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Universitetin e Romës
-
Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën
Jeta në Austri
-
Austri: Nga viti 2026, mbrojtje më e fortë për punonjësit ndaj të nxehtit ekstrem Punonjësit që punojnë në ambiente të hapura do të përfitojnë nga mbrojtje më e mirë ndaj...
-
Borxhi i Austrisë arrin në 412.6 miliardë €
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme