Lajme

Pacolli përjashton Gërbeshin nga AKR-ja

Behgjet Pacolli, me një vendim të veçantë, e ka përjashtuar nga partia e tij, Aleanca Kosova e Re (AKR), deputetin e kësaj partie në Kuvendin e Kosovë, Emin Gërbeshin.

“Në mbështetje të kompetencave dhe përgjegjësive të parapara me Statutin e Aleancës Kosova e Re, neni 30 dhe 31, dhe në konsultim me kryesinë e ngushtë të partisë, për shkak të mosrespektimit, në vazhdimësi, të Statutit dhe të parimeve programore të AKR-së, mosrespektimit të qëndrimeve të Grupit Parlamentar, ofendimeve dhe shpifjeve publike dhe të vazhdueshme ndaj kolegëve marr vendim për përjashtim të z. Emin Gërbeshi nga Aleanca Kosova e Re“, thuhet në një njoftim publik.

Në njoftim më tej thuhet se i njëjti përjashtohet edhe nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, ndërsa vendimi obligon kryetarja e Grupit Parlamentar, Mzejene Selmanin, të ndërmarrë procedurat për zëvendësimin në komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e djeshme të Kuvendit, në të cilën u shqyrtua mocioni për shfuqizimin e taksës së importit për çimenton, deputeti Gërbeshi kërkoi dorëheqjen e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila është njëherësh edhe nënkryetare e AKR-së.