Kosova

Osmani: “Kosova flet për paqen nga barra e kujtesës, jo nga distanca”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku theksoi se për Kosovën, paqja nuk është një koncept abstrakt, por një përvojë e jetuar dhe e ndërtuar mbi plagët e së kaluarës.

“Ne nuk flasim për paqen nga largësia, por për paqen nga barra e kujtesës,” deklaroi Osmani, duke iu referuar dhunës dhe traumës së luftës që, siç tha ajo, fëmijët e Kosovës e kanë jetuar dhe dëshmuar. Ajo kujtoi se pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët ishin dëshmitarë të tmerreve që nuk duhej t’i shihnin kurrë, ndërsa gratë e Kosovës mbajtën gjallë shpresën dhe qëndresën, raporton albinfo.ch.

Presidentja e përshkroi gratë e Kosovës si forca që nuk e pranuan kurrë të shiheshin thjesht si viktima, por si ndërtuese të paqes dhe të shtetit. “Ne e shndërruam traumën në politikë, heshtjen në forcë,” tha ajo, duke e lidhur përvojën e Kosovës me atë të shumë grave në zona të konfliktit sot, që po shkruajnë historinë e tyre me të njëjtën vendosmëri.

Duke iu referuar fëmijëve, Osmani theksoi se ata janë bartësit më të ndjeshëm të pasojave të luftës, por njëkohësisht edhe krijuesit e paqes së së nesërmes. “Nëse nuk investojmë në ta sot, lejojmë që konflikti të marrë udhë nesër,” paralajmëroi ajo.

Në përfundim, presidentja Osmani e cilësoi paqen jo si një pushim të përkohshëm të dhunës, por si një proces aktiv dhe transformues. “Paqja është çështje e vullnetit, kurajës dhe vendimit,” përfundoi ajo, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e rolit të grave dhe brezave të rinj në ndërtimin e së ardhmes, transmeton albinfo.ch.