Kosova

Ofendoi rëndë zyrtarët policorë, arrestohet mërgimtari

Në qytetin e Pejës, një shtetas amerikan, pasagjer në një veturë të ndaluar për kundërvajtje në trafik, ka kanosur dhe ofenduar rëndë zyrtarët policorë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur më 5 gusht 2025 rreth orës 16:50, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, përballë Stacionit Policor të Pejës.

Veturës VW Passat, të cilën e drejtonte F. R., rreth 50-vjeçar, iu ndalua qarkullimi për mosrespektim të shenjës së trafikut. Teksa njëri nga zyrtarët po përgatitej të shkruante gjobën, pasagjeri Sh. B, rreth 54-vjeçar, i cili posedon edhe shtetësi amerikane, zbriti nga vetura dhe filloi të konfrontohet me policët.

Fillimisht kërkoi shpjegim mbi mënyrën e ankesës për gjobën, por pavarësisht që iu dha informacion për rreth 7-8 minuta, ai vazhdoi të provokojë dhe pengojë zyrtarët policorë, duke refuzuar të largohej dhe të identifikohej.

Sh.B nxori telefonin për të bërë fotografi të policëve, duke u drejtuar me fjalë fyese:

“Ju nuk po e dini ligjin, unë kam shtetësi amerikane… nuk e dini ju kush jam unë… ma zi se shkijet keni me ma pa sherrin!”

Për shkak të kanosjes direkte dhe refuzimit për t’u larguar, ai u arrestua në vendngjarje, ndërsa më vonë u intervistua në prani të hetuesve dhe u identifikua zyrtarisht si Sh.B.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është inicuar procedurë penale për veprën “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.