Lajme

OBI, rezolutë për njohjen e Kosovës

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) nëpërmjet një rezolutë i bënë thirrje shteteve islamike që ta njohin republikën e Kosovës

Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), në sesionin e 39 të këtij Këshilli të zhvilluar në Xhibuti, ka miratuar një rezolutë për Kosovën, në të cilën i bënë thirrje të gjitha shteteve të kësaj organizate, që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas një njoftimi lëshuar nga Ministra kosovare e Punëve të Jashtme, OBI thërret shtetet anëtare të Organizatës që të shqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Republikës e Kosovës, e cila, sipas kësaj rezolute, bazohet në të drejtën për liri dhe sovranitet dhe në praktikën nacionale.

“Këshilli i Ministrave të Jashtëm të OBI-t, mirëpret progresin në Kosovë në 5 vjetët e shtetndertimit, veçanërisht përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila ka demonstruar progresin e vazhdueshëm në forcimin e demokracisë… dhe ka sjell paqe, stabilitet në Kosovë dhe rajon”, njoftim MPJ.

Rezoluta është bashkësponsorizuar nga Turqia dhe Shqipëria dhe për miratimin e saj, sipas MPJ-së, është zhvilluar një lobim i fuqishëm edhe nga ministrit, Enver Hoxhaj, i cili gjatë pjesëmarrjes në punimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-t, ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësuesit e shteteve anëtare të kësaj organizate.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë punimeve të sesionit të Këshillit, ka mbajtur edhe një fjalim para 57 ministrave pjesëmarrës, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Ai ka thënë pavarësia e Kosova ka qenë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

“Prandaj, unë dua të apelojë te të gjitha shtetet anëtare të OBI-it, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë. Njohja e Kosovës do të ishte mirënjohje dhe respekt për përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për dinjitet njerëzor, liri dhe pavarësi politike”, ka thënë Hoxhaj.

Njohja e Kosovës nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe integrimi i saj në Bankën Botërore dhe në FMN dhe tashme edhe në BERZH, siç ka thënë Hoxhaj, është dëshmia më e mirë se Kosova po integrohet në sistemin ndërkombëtarë dhe po siguron njohje të plotë ndërkombëtare.

“Në këtë drejtim, Kosova është njohur nga 30 shtete anëtare të OBI-t, por kanë mbetur edhe 27 tjera që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, duke rikujtuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Hoxhaj në fjalën e tij ka falënderuar edhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, për mbështetjen e Kosovës dhe kauzës së qytetarëve të saj për liri, demokraci dhe krijimin e shtetit të pavarur.