Kosova
NZZ: Marrëveshja me Danimarkën për burgjet, mund t’ia sjellë Kosovës liberalizimin e vizave
Disa gazeta gjermane i kanë kushtuar vëmendje planeve të Danimarkës për të dërguar në Kosovë refugjatët që mbahen në burgim para dëbimit. Planet e qeverisë daneze kanë ndezur debat të madh edhe në Danimarkë, përcjell albinfo.ch.
Gazeta “Süddeutsche Zeitung”, në një artikull të saj thekson se Danimarka planifikon të dërgojë në Kosovë një pjesë të refugjatëve të burgosur para dëbimit për të ulur presionin në burgjet daneze.
Sipas ministrit danez të Drejtësisë, Nick Haekkerup, ky vend do të marrë në përdorim 300 qeli burgu për të burgosurit para dëbimit. Nga Kosova ka pasur një konfirmim, sipas radios daneze, DR.
Sipas gazetës gjermane, planet janë të tilla: Danimarka do të marrë me qira për 10 vjet qelitë, kurse Kosova do të marrë si shpërblim 210 milionë euro nga Danimarka.
“Rregulla daneze”
Nga Danimarka theksohet se në burgun në Kosovë do të vlejnë “rregulla daneze”.
Ministri i Drejtësisë, Haekkerup, ka siguruar se “duhet ta përfytyroni, si në një burg danez, por në vend tjetër”, citon “Süddeutsche Zeitung”.
Por planet e Danimarkës që ka negociuar në fshehtësi për një 1 viti me Kosovën, sipas “Süddeutsche Zeitung”, kritikohen ashpër nga aktivistët për të drejtat e njeriut.
Shkak janë kushtet e këqija në burgjet e Kosovës, ku “Komiteti kundër Torturës i Këshillit të Evropës”, CPT në vitin 2020 dokumentoi akuza për korrupsion dhe keqtrajtim. Ata pyesin, se si shteti në Danimarkë do t’u garantojë të afërmve sipas ligjit danez një vizitë në javë.
“Organizon shërbimi i burgjeve pastaj fluturime në Kosovë që fëmijët të shohin prindërit e tyre?”, ka pyetur kreu i “Borns Vilkär”, Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve, Rasmus Kjedhal, shkruan “Süddeutsche Zeitung”. Kurse sipas radios gjermane, “Deutschland Funk”, planifikohet që Danimarka të marrë përsipër një burg me 326 vende në Gjilan.
Përkeqësim për burgjet kosovare?
Edhe gazeta gjermanishtfolëse zvicerane, “Neue Zürcher Zeitung”, i kushton vëmendje akomodimit të refugjatëve të burgosur nga Danimarka në Kosovë.
Planet e qeverisë daneze janë bërë të ditura në kuadër të një pakete reformash për lehtësimin e burgjeve daneze. Sipas NZZ-së, ndryshe nga marrëveshja me Washingtonin për pranimin e refugjatëve afganë në Kosovë e Shqipëri, që ishte gjest humanitar, marrëveshja me Danimarkën është biznes.
“Kosova mund t’i përdorë mirë të ardhurat që lidhen me këtë, sidomos në kohët e pandemisë”, shkruan NZZ.
Por, ka zëra të vëzhguesve politikë në Kosovë që thonë se Prishtina me gjasë ka marrë edhe mbështetjen e Kopenhagës për liberalizimin e vizave, sipas NZZ-së.
Shqetësim mbetet edhe se çfarë efekti do të ketë një marrëveshje e tillë në burgjet e vetë Kosovës.
Driat Cerabregu nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës përmend, se në Gjilan aktualisht ndodhen 200 të burgosur. “Zhvendosja e tyre në burgje të tjera do të çojë pashmangshëm në një mbingarkesë dhe përkeqësim të kushteve të burgimit”, shkruan NZZ.
Por me sa duket marrëveshja është gati. Sipas mediave, konfirmimin e ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu. Madje NZZ shkruan se një marrëveshje e tillë pritet të nënshkruhet të hënën në prani të ministrit Haekkerup në Prishtinë. /dw
E-Diaspora
-
RAI Calabria i jep zë identitetit arbëresh përmes dokumentarëve RAI Calabria po vazhdon angazhimin e saj në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe në Itali.... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin











