CH-Ballkani
NZZ: Gruevski po luan me zjarrin!
"Ajo së cilës WMRO i frikësohet me të vërtetë, nuk është platforma shqiptare por ndarja nga pushteti dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Për të penguar këtë, ajo është e gatshme të luajë me zjarrin”

Gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) në një artikull të botuar të premten, mbrapa dhunës së parmbrëmshme në Shkup e sheh Gruevskin. “Sulmi mbi parlamentin dhe nxitja e tensioneve ndëretnike janë bërë për të penguar ndërtimin e një qeverie të re. Vendi është më labil se kurrë”, thuhet në artikullin me autor korrespondentin e NZZ për Ballkan, Andreas Ernst.
Pasi përshkruan skenat e njohura dramatike të të enjtes mbrëma në ambientet e parlamentit, autori thotë se “policia nuk ka pasur vullnet ose mundësi për ta mbrojtur godinën e parlamentit, edhe pse nacionalistët e VMRO-së prej javësh po kërcënonin me sulm në rast se opozita do të ndërtojë qeverinë bashkë me shqiptarët. Drejt një qeverie të tillë ishte bërë tashmë hapi vendimtar kur socialdemokratët së bashku me partnerët e tyre shqiptarë të koalicionit kishin zgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Ai duhej ta udhëhiqte zgjedhjen e qeverisë.
Komisioni i BE-së “ka marrë njoftimin për zgjedhjen” e Xhaferit dhe ka dënuar ashpër trazirat. Nga ana tjetër VMRO drejton gishtin nga “strukturat ilegale paralele”. Kryetari i partisë, Gruevski, i cili ka dominuar Maqedoninë për dhjetë vite reziston me të gjitha mjetet kundër rrëzimit nga pushteti. Një aferë e zbuluar në vitin 2015 nga opozita kishte sjellë në sipërfaqe një sistem të korruptuar klientelist në të cilin klasa sunduese menaxhon në mënyrë arbitrare, shkrua n nzz, transmeton albinfo.ch Në fund të vitit 2015, nën presionin ndërkombëtar qe themeluar një prokurori speciale, e cila po zhvillon hetime edhe kundër vet Gruevskit. Numër i madh politikanësh nga rrethi i tij frikohen se mund ta përfundojnë karrierën e tyre në burg.
Ndërsa VMRO e paraqet gjendjen krejtësisht ndryshe. Si një agjent përmbarues i tij (Gruevskit) në këtë kontekst po profilizohet presidenti Ivanov, person deri tash i pangjyrë: Partitë shqiptare, thotë Ivanov, synojnë federalizimin kundërkushtetues të vendit dhe kjo është arsyeja që ai po kundërshton të ngarkojë koalicionin e socialdemokratëve dhe shqiptarëve për ta ndërtuar qeverinë. Ç`është e vërteta, partitë shqiptare pas zgjedhjeve kishin bërë një platformë të përbashkët, shkruan më tutje NZZ, përcjell albinfo.ch. Mirëpo në të nuk bëhet fare fjalë për federalizmin por për dygjuhësinë, ndarjen e barabartë të buxhetit dhe për “diskutimin e domosdoshëm” mbi simbolet shtetërore. Shqiptarët duan që krahas maqedonasve të njihen si kombi i dytë shtetformues. Edhe prokuroria speciale duhet të vazhdojë punën.
Por platforma, dhe kjo nuk është vetëm një rrethanë teknike, është realizuar me ndërmjetësimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Tiranë, vëren NZZ. Se kjo gjë pengon shumë maqedonas dhe se komentet më të reja shqiptaromëdha të Ramës perceptohen si përzierje, është e kuptueshme. Mirëpo është një pretendim i ekzagjeruar kur ideologu i VMRO-së Cvetin Cilimanov thotë se platforma kërcënon të destabilizojë regjionin. Ajo së cilës WMRO i frikësohet me të vërtetë, është ndarja nga pushteti dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Për të penguar këtë, ajo është e gatshme të luajë me zjarrin. Prej disa muajsh mediat e saj, dhe të tilla janë pothuajse të gjitha, vjellin kundër nacionalistëve shqiptarë, socialdemokratëve tradhtarë dhe organizatave joqeveritare kinse të dirigjuara nga miliarderi Soros.
Mbi të gjitha, propaganda antishqiptare nxit emocione të rrezikshme mbi pakicën shqiptare që përbën 25 për qind të popullatës. Dhe kjo po bëhet me vetëdije të plotë: Një konflikt ndëretnik do ta shpartallonte koalicionin e brishtë në mes të socialdemokratëve dhe partive shqiptare, për ta bërë VMRO-në sërish partinë udhëheqëse. Ecuria është edhe më e dënueshme kur dihet se marrëdhëniet në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, pas pothuaj luftës qytetare të vitit 2001, ishin përmirësuar, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Jo vetëm që ishin reduktuar paragjykimet reciproke, por edhe interaksionet qenë bërë më intensive, thotë profesoresha e drejtësisë, Besa Arifi. Ka madje, sipas saj edhe elemente të një shoqërie qytetare multietnike që është ndërtuar kundër “regjimit”.
Shumë qytetarë e kanë shikuar agjitacionin nacionalist si manipulim të elitës së obsesionuar me pushtetin. Por, vendin e ndarë etnikisht e mban bashkë fare pak gjë përveç dëshirës për t`u bërë anëtar i BE-së. Kriza e tashme mund të eskalojë fare lehtë në një çështje ekzistence për Maqedoninë.
E-Diaspora
-
Shoqatat shqiptare në Zvicër, në fokus të numrit të ri të revistës Albinfo.ch Revista është përqendruar në shoqatat, rrjetet dhe lëvizjet që kalojnë suazat lokale ose regjionale, dmth që...
-
Zhvillo karrierën tënde aty ku vlerësohet: smzh ag të ofron më shumë se një vend pune
-
Akuzohet kosovari, i dyshuar si shef i “degës zvicerane” të organizatës terroriste
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj