Lajme

Nxënësit “nxiten” ta raportojnë korrupsionin

Komuna e Prishtinës dhe UNDP organizuan diskutimin e hapur me shkollat e mesme të Prishtinës me temë “Lufta kundër korrupsionit dhe roli i policisë dhe prokurorisë”

Korrupsioni është problem madhor në Kosovë, i cili është duke e penguar zhvillimin e vendit, prndaj duhet të luftohet nga të gjitha kategoritë. Kështu deklaroi zëvendëspërfaqësuesja e UNDP-së, në Kosovë, Alessandra Roccasalvo gjatë një takimi që zhvilloi me maturantët dhe nxënësit e dalluar të Komunës së Prishtinës.

Ajo u shpreh se UNDP për vite të tëra ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet, OJQ-të dhe vetë qytetaret që të ketë një ndikim pozitiv në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit në Kosovë.

“Bazuar në punën tonë, edukimi si sektor ka predispozita të mëdha për korrupsion. Kjo iniciative është pilotuar për herë të parë në Komunën e Prishtinës, me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe do të vazhdohet edhe me komunat e tjera”, tha Roccasalvo.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UNDP organizoi diskutim të hapur me shkollat e mesme të Prishtinës me temë “Lufta kundër korrupsionit dhe roli i policisë dhe prokurorisë”.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh e kënaqur që edhe nxënit janë pjesë e luftës kundër korrupsionit.

“Drejtoria Komunale e Arsimit ka për qëllim që të promovojë, jo vetëm bashkëpunimin, por që edhe fëmijët tanë të vetëdijesohen që secili prej nesh duhet të kontribuojë për një vend sa më të mirë, ngaqë sa më me ndershmëri dhe përgjegjësi që i kryejmë gjithsecili punët tona, aq më i fortë do të jetë edhe shteti ynë”, tha Nagavci.

Gjatë kësaj ligjërate, nxënësit patën rastin të informohen më konkretisht lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

Nxënësit e shkollës “Model” ishin të shqetësuar edhe me raportimet e mediave të cilat, siç u thanë ata, në vazhdimësi kritikohet puna e prokurorisë dhe policisë si joefikase, si dhe u ankuan se kanë qenë dëshmitarë të rasteve kur policia vonohet në thirrjet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga ky insitutcion.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Mentor Cakolli tha se policia është angazhuar që përmes ligjëratave t’i vetëdijësojë nxënësit në raport me fenomenet e ndryshme negative dhe se në kuadër të policisë funksionon edhe Departamenti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Elez Blakaj i njoftoi nxënësit e pranishëm për rolin e prokurorisë dhe mekanizmat për raportim të korrupsionit. Duke shtjelluar raste të caktuara, ai tha se në parim nuk mjaftojnë vetëm dyshimet edhe kur ato janë të bazuara, ngaqë gjykatës për të marrë një vendim i duhen provat konkrete dhe ky është një proces më i ngadalshëm që kërkon kohë. Por, ai u shpreh se me rëndësi është që të gjithë nxënësit të njihen me hallkat e drejtësisë dhe me mënyrën se si funksionon shteti.

Ndryshe, në këtë diskutim morën pjesë maturantët dhe nxënësit e klasave të XII – ta, ndërsa ishin përzgjedhur nxënës nga të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës. Kjo iniciativë është pjesë e aktiviteteve të Support to Anti – Corruption Efforts in Kosovo (SAEK), SAEK është një projekt tre vjeçar për kundër-korrupsion i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.