Lajme

Nuk ka më nevojë të hiqen këpucët në pikat e kontrollit të sigurisë në aeroportet amerikane

Udhëtarët që nisen drejt Shteteve të Bashkuara nuk do të duhet më të heqin këpucët në pikat e kontrollit të sigurisë. Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) në SHBA ka hequr këtë masë, e cila kishte qenë prej vitesh burim bezdie për shumë pasagjerë.

Ky rregull, i cili ishte arsyeja e dytë më e shpeshtë e ankesave të pasagjerëve pas çmimit të biletave të avionit, u vendos në vitin 2006 pas një përpjekjeje për sulm terrorist. Masa u hoq në të gjithë vendin të martën, transmeton albinfo.ch.

Shembull nga Zvicra: Në Aeroportin e Cyrihut, këpucët hiqen vetëm në rast se zbulohet metal, transmeton albinfo.ch.

Rreziku i eksplozivëve

Në dhjetor të vitit 2001, vetëm pak muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, një shtetas britanik tentoi të hidhte në erë një fluturim mes Parisit dhe Miamit duke fshehur eksplozivë në këpucë. Përpjekja e tij dështoi, por la një kujtim të fortë te autoritetet.

TSA, e krijuar si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit, vendosi më pas kontrolle më të rrepta, përfshirë edhe heqjen e detyrueshme të këpucëve. Me kalimin e viteve, kërcënime të tjera si lëngjet shpërthyese, të brendshmet e minuar apo eksplozivët e fshehur në kartuça printeri, sollën masa të reja sigurie.

Shishet transparente mbeten të detyrueshme

Heqja e kësaj mase u bë e mundur falë përparimeve teknologjike në pajisjet e zbulimit. Megjithatë, kufizimet për lëngjet në bagazhin e dorës, të vendosura po ashtu në vitin 2006, pritet të qëndrojnë edhe për të paktën 15 vitet e ardhshme. Sipas TSA, shishet e vogla dhe transparente do të mbeten të domosdoshme.