Lajme

Nuk ka “marrëveshje punësimi” Zvicër-Kosovë

Është fjala për një projekt të kufizuar dhe në asnjë rast nuk bëhet fjalë për marrëveshje punësimi mes Kosovës dhe Zvicrës, ose për punësim masiv të qytetarëve nga Kosova në Zvicër

Pas publikimit të lajmit në disa media për gjoja një marrëveshje punësimi mes Kosovës dhe Zvicrës, me qëllim evitimin e çdo keq-interpretimi ose keqkuptimi,  Ambasada e Kosovës në Zvicër përmes një njoftimi për medie sqaron se nuk bëhet fjalë për marrëveshje në mes të dy shteteve dhe gjithsesi jo për një marrëveshje për punësim.

“Me datë 02.12.2014 në Konsullatën e Kosovës në Cyrih është nënshkruar një marrëveshje bashkpunimi në mes të Konsullatës sonë dhe Qendrës për Persona të Moshuar të Qytetit të Zurich-ut. Fjala është për 7-10 Ppaktikantë –Infermierë, që do të kryejnë  një praktikë njëvjeçare në një  Shtëpi për Përkujdesje të Personave të Moshuar në Zurich” thuhet në sqarim.

Më tutje opinioni njoftohet se “është fjala për një projekt të kufizuar dhe në asnjë rast nuk bëhet fjalë për marrëveshje punësimi mes Kosovës dhe Zvicrës, ose për punësim masiv të qytetarëve nga Kosova në Zvicër, të cilët, mjerisht, janë të përjashtuar nga tregu i punës në Zvicër. Personat në fjalë do të paguhen si praktikantë , do të  profesionalizohen  në fushën e tyre  dhe në fund do t‘i nënshtrohen një provimi çertifikues për të  marrë një diplomë. Pas skadimit të praktikës njëvjeçare praktikantet kthehen në Kosovë.

Pra, edhe njëherë e përsërisim që asnjë qytetar nga Kosova nuk mund të pretendojë t’ia  mësyj Zvicrës ose ambasadës së këtij vendi në Prishtinë,  për të kërkuar punë, thuhet në përfundim të njoftimit të Ambasadës së Kosovës, të nënshkruar nga Ambasadori, Naim Malaj.