Lajme

Nuk do të ketë reduktime të reja të KFOR-it

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka thënë se NATO nuk i ka vazhduar planet për reduktimin e trupave, për shkak të shpërthimit të dhunës dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj sigurisë, në pjesën veriore të Kosovës, me tensione etnike.

Në një intervistë për agjencinë Associated Press, Buhler ka theksuar se nuk mendon se do të ketë reduktime të mëtejshme në të ardhmen e afërt në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s, i cili ishte vendosur në fund të luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Misioni kishte planifikuar reduktimin deri në 50% të 5 mijë trupave aktuale të NATO-s në Kosovë, deri në fund të këtij viti. Por, mospajtimi i dhunshëm kufitar, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, muajin e kaluar, e ka detyruar aleancën për sjelljen e përforcimeve nga Gjermania dhe Austria.