Lajme

Një perandori me 800 baza: si ushtria amerikane po e kontrollon planetin

Shtetet e Bashkuara vlerësohet se kanë mes 750 dhe 800 instalime ushtarake jashtë vendit, një rrjet që është ndërtuar gradualisht që nga Lufta e Ftohtë. Teksa tensionet gjeopolitike po përshkallëzohen – veçanërisht me Iranin dhe brenda vetë NATO-s – prania e këtyre bazave në territorin evropian po ngre pyetje të paprecedenta në kontinent.

Fuqia ushtarake amerikane nuk matet vetëm me numrin e trupave. Ajo mbështetet mbi një rrjet global bazash, shtrirja e saktë e të cilit mbetet e vështirë për t’u përcaktuar. Një raport i Kongresit amerikan përmend 128 baza në 51 shtete, por shumë ekspertë e konsiderojnë këtë shifër si nënvlerësim të madh.

Antropologu dhe studiuesi David Vine, autor i librit “Base Nation: How the US Military Bases Abroad Harm America and the World”, ka ndjekur zhvillimin e këtyre instalimeve për më shumë se 25 vjet. Sipas tij, numri real varion nga 750 deri në 800 baza, të shpërndara në të gjithë globin.

“Madhësia e tyre ndryshon ndjeshëm: disa janë sa qytete të tëra, si në Gjermani, Itali, Japoni apo Korenë e Jugut, ndërsa të tjera janë shumë më të vogla. Madje, disa baza konsiderohen si një e vetme, por në fakt shtrihen në disa lokacione të ndryshme,” shpjegon Vine.

Baza më e madhe amerikane jashtë SHBA-së ndodhet në Pyeongtaek, Koreja e Jugut. Camp Humphreys strehon mbi 40 mijë banorë dhe përfshin shkolla, kinema dhe madje edhe fusha golfi.

Një rrjet pjesërisht sekret

Një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës ushtarake amerikane ndërtohet në fshehtësi të plotë: radarë, burgje ushtarake, poste për operacione speciale. “Gjithnjë e më shpesh, bazat amerikane janë të fshehura ose të integruara brenda instalimeve ushtarake të vendeve pritëse,” thekson David Vine.

Kjo strategji synon të maskojë praninë ushtarake, ndonjëherë edhe nga Kongresi amerikan apo nga vetë popullata vendase. “Një pjesë e këtij aktiviteti i shpëton kontrollit demokratik. Kjo është edhe arsyeja pse shumë baza ndodhen në vende me nivel të ulët demokracie, si në Gjirin Persik, Lindjen e Mesme, Afrikë apo Azi.”

Një zgjerim i lindur nga Lufta e Ftohtë

Vendosja globale e ushtrisë amerikane nisi seriozisht pas Luftës së Dytë Botërore. Më 12 mars 1947, presidenti Harry Truman paraqiti doktrinën e tij para Kongresit:

“Politika e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë mbështetja e popujve të lirë që i rezistojnë përpjekjeve për nënshtrim.”

Që nga vitet 1950, Uashingtoni ndërtoi qindra baza për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik. Rrjeti u zgjerua gjatë luftërave në Kore dhe Vietnam, u tkurr pas rënies së BRSS-së dhe u rikonfigurua pas sulmeve të 11 shtatorit, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Së fundmi, lufta në Ukrainë ka sjellë një ri-angazhim amerikan në Evropën Veriore.

“SHBA-të e shohin veten si ‘policin e botës’, ndërsa bazat e tyre funksionojnë si komisariate ndërkombëtare,” shpjegon historiani ushtarak David Silbey nga Universiteti Cornell. “Por këto baza kanë luajtur edhe rol humanitar, si gjatë cunamit të vitit 2004 në Azi, kur baza detare Diego Garcia u përdor si qendër ndihme.”