Lajme

Një mutacion i ri i koronavirusit po përhapet me shpejtësi, paralajmërojnë ekspertët

Një variant i ri i Covid-19, i quajtur NB.1.8.1  apo “Nimbus”, siç po njihet në mënyrë jozyrtare  është zbuluar së fundmi në Finlandë dhe po përhapet me ritme të shpejta në disa pjesë të botës.

Instituti për Shëndet dhe Mirëqenie i Finlandës (THL) konfirmoi se janë regjistruar pesë raste të këtij varianti në vend. Edhe pse aktualisht situata në Finlandë është e qëndrueshme, autoritetet nuk po heqin sytë nga zhvillimet e fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka vendosur këtë mutacion në listën e varianteve që mbikëqyren, për shkak të mundësisë që ai të përhapet më lehtë se variantet e mëhershme. Ky version i virusit u zbulua për herë të parë në Azi në janar dhe që nga ajo kohë është përhapur sidomos në Kinë, ku janë parë edhe rritje të ndjeshme të infeksioneve dhe shtimeve në spitale.

Tajlanda raportoi një rritje të frikshme: nga rreth 6,000 raste në 33,000 për vetëm disa ditë.

Ekspertja Erika Lindh nga THL theksoi se, megjithëse infeksionet në Finlandë janë ende të pakta, vëmendja duhet të jetë e lartë. Vlerësimet e para tregojnë se varianti Nimbus mund të shmangë imunitetin në një masë pak më të madhe se paraardhësit e tij  por jo në një nivel që alarmon drejtpërdrejt, transmeton albinfo.ch.

Deri tani, ky mutacion është zbuluar në mbi 20 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Korenë e Jugut dhe vende të ndryshme të Evropës si Britania e Madhe, Gjermania dhe Suedia.

Për fat të mirë, simptomat nuk duket se ndryshojnë shumë nga ato që tashmë njihen: ethe, kollë, dhimbje fyti dhe lodhje. Deri më tani, nuk ka të dhëna që Nimbus shkakton sëmundje më të rëndë sesa variantet e mëparshme.

Duke pasur parasysh që vera është sezon udhëtimesh dhe tubimesh, ekspertët rekomandojnë që njerëzit të tregojnë kujdes të shtuar  sidomos në vende të mbushura me njerëz.