Kosova

Nisin homazhet për Fadil Vokrrin

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, po mbahen ceremonitë e homazheve dhe më vonë edhe mbledhja e komemoracionit me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Vokrri do të varroset në varrezat në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie, në nderim të të ndjerit Fadil Vokrrit, dhe flamujt në të gjitha institucionet e Kosovës janë ulur në gjysmë shtizë.

Fadil Vokrri, ishte figura qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij. Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës para ceremonisë së varrimit, nga ora 12:00 e deri në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës mbahen homazhe, kurse në orën 14:00, po në Kuvend do të mbajë një mbledhje komemoracioni.