Lajme

Nis punimet Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës…

Për të 31-tën herë me radhë të hënën në Prishtinë filloi punimet Seminari i Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Seminari i Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pasqyra më e qartë dhe më kuptimplote e zhvillimeve kulturore, shkencore, letrare e gjuhësore brenda një viti akademik Për të 31-tën herë me radhë të hënën në Prishtinë filloi punimet Seminari i Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili nga pjesëmarrësit u konsiderua si emblema e Prishtinës dhe si ura e kulturës, letërsisë e historisë shqiptare me shtetet tjera të botës. Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova tha në fillim se edhe ky seminar është i njëjti me ata që kanë kaluar më herët, prandaj edhe fjalimet, sipas tij, janë po atë qëp i kanë thënë parafolësit e tij në 30 seminaret e kaluar. “I nxora nga arkiv ato fjalime, i lexova një nga një, vetëm për të kuptuar se një fjalim i tridhjetenjëtë nuk mund të ketë ndonjë risi” tha ai. Drejtuesi i seminarit në fillim përkujtoi disa raste tragjike që kanë përcjellë periudhën  nga ai i parafundit. “Përjetuam dhimbje për humbjen e studentëve të Universitetit të Elbasanit në një aksident tragjik…u ndamë nga profesor Fadil Raka, e na la poeti Ali Podrimja”, tha Rugova. Ndërsa dekani i Dekan i Fakultetit Filologjik, Osman Gashi tha se seminari është pasqyra më e qartë dhe më kuptimplote e zhvillimeve kulturore, shkencore, letrare e gjuhësore brenda një viti akademik, jo vetëm në Fakultetin e Filologjisë por në tërë Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë. Edhe numri një i arsimit kosovar, ministri Ramë Buja tha se seminari është një mundësi e madhe për njohjen e kulturës kombëtare shqiptare nga të huajt, pjesëmarrësit e seminarit. Ndërsa zëvendësi i tij, Hajdin Abazi tha se Seminari i 31-të është një eveniment i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave nga studiues vendorë, nga mërgata por edhe vende tjera më të largëta. Ndërsa për kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, seminarin është emblemë e kryeqytetit. “Ky është seminari i Prishtinës dhe ka zënë shtat po në Prishtinë për 31 vite. Është veçoria emblematike e Prishtinës…” tha ai. Ndërsa ne emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në hapjen e seminarit foli Pajazit Nushi, i cili tha se Seminari është një institucion integrues i potencialit shkencor me përmasa kombëtare. “Mos të harrojmë se ka personalitete shqiptare që janë burgosur e akuzuar për këtë seminar, ka edhe të zhdukur si Ukshin Hoti etj”, tha ai. Ndryshe, ky seminar siç u tha në hapjen zyrtare, ka edhe një veçori këtë vit, sepse përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe disa ligjërata u tha se do t’i kushtohen kësaj date. Seminari do të jetë i hapur deri më 25 gusht.