Lajme

Nga klasa në diplomë: Vaud rishikon rrënjësisht arsimin detyrues

Kantoni i Vaud-it ka nisur një anketim të thelluar për funksionimin e sistemit të tij të arsimit detyrues. Ky pyetësor online është pjesë e përgatitjeve për futjen e një diplome të re të shkollës së mesme, e cila do të zgjasë katër vite në vend të tre. Qëllimi është të bëhet një bilanc për të planifikuar të ardhmen e sistemit arsimor në Vaud.

 

Pyetje si: “A mendoni se nxënësit vlerësohen tepër apo shumë pak?”, “A jeni të kënaqur me mënyrën e komunikimit të shkollës?” apo “Cilat janë misionet e shkollës?” i janë dërguar prindërve, mësuesve dhe mbi 90,000 nxënësve të arsimit të detyrueshëm në Vaud.

Ky sondazh synon të mbledhë mendime të ndryshme për të vlerësuar sistemin aktual të shkollës, në prag të tranzicionit drejt modelit të ri të maturës “10, 11 + 4”, i cili do të hyjë në fuqi deri në vitin 2034. Kjo do të lejojë hyrjen në shkollën e mesme pas vitit të 11-të, por gjithashtu edhe në fund të vitit të 10-të për nxënësit me rezultate të mira, transmeton albinfo.ch.

Për realizimin e këtij vlerësimi, kantoni ka angazhuar një firmë private të specializuar në analizën e politikave publike. Rezultatet, sipas mundësive, do të ndihmojnë në rikonceptimin e sistemit shkollor detyrues dhe përgatitjen e nxënësve për diplomën e re katërvjeçare.

Jo mjaftueshëm për një “ristrukturim të shkollës”

Sindikata e Shërbimeve Publike të Vaud-it, megjithëse mirëpret këtë nismë, paralajmëron se “një pyetësor i vetëm nuk mjafton për të riorganizuar shkollat.” Ajo kërkon gjithashtu përfshirje më të madhe të stafit pedagogjik në këtë proces transformimi.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet një vlerësim i plotë i arsimit të detyrueshëm përpara se të merrej vendimi për modelin ‘10, 11 + 4’. Deshëm të kuptonim sfidat dhe të merrnim një vendim të informuar. Nuk jam e sigurt se një pyetësor me alternativa të shumëfishta do të na lejojë ta kuptojmë plotësisht situatën,” tha Isabelle Smekens, sekretare sindikale për arsimin.

Shëndeti mendor në qendër të vëmendjes

Një nga temat kyçe të pyetësorit për prindërit është roli i shkollës, detyrat e shtëpisë dhe shëndeti mendor i nxënësve. Sipas Christine Muller, sekretare sindikale e Shoqatës së Prindërve të Vaud-it, është thelbësore që kjo çështje të merret seriozisht.

“E dimë sa i rëndësishëm është shëndeti mendor në procesin e të nxënit. Duhet të jesh mirë emocionalisht për të mësuar me sukses […] Presioni dhe kërkesat që përjetojnë fëmijët në shkollë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor. Prandaj duhet të kujdesemi për këtë aspekt,” shpjegon ajo.