Kosova
Porosi nga veriu i braktisur i Kosovës: “Këto tri fshatra janë themeli i shtetit”
Naim Muharremi thotë se duhet të vizitohen fshatrat në veri të Kosovës: “Ato tri fshatra janë themeli i shtetit. Pa shku me e vizitu nuk e kupton esencën”
Si shumë shqiptarë që jetojnë në shtete anë e mbanë botës, edhe Naim Muharremi çdo vit merr rrugën nga Zvicra për në vendlindjen e tij, Kosovën.
Megjithëse Muharremi jeton në Zvicër, ai ka familjarë që jetojnë në veri të Mitrovicës, kështu në një bashkëbisedim me Albinfo.ch, ai ka ndarë rrëfimin e tij për jetën e shqiptarëve në veri të Mitrovicës.
Fillimisht, Muharremi ka përshkruar pjesën e veriut të Mitrovicës, “Pjesa e veriut të Kosovës është diku prej Mitrovicës ku është sot deri tek kufiri ku kanë qëndru Njësia Speciale në Jarinjë rreth 53 km prej qytetit të Mitrovicës. Bërnjaka është më afër, diku 25 km nga qyteti i Mitrovicës, është në anën e Novi Pazarit. Kurse kufiri verior që është me Serbinë, me Rashkë, e lidhet me Kralevë dhe Kragujevc, është diku 55 km prej qytetit të Mitrovicës”.
Tutje, ai ka treguar për fshatrat shqiptare në veri, të cilat sipas tij kanë rreth 40 shtëpi, ku 13-14 shtëpi janë në Bistricë, 12-13 në Cernajë dhe të tjerat në Koshtovë.
“Në komunën e Leposaviçit janë 72 fshatra serbe, 3 janë shqiptare dhe 3 boshnjake. Fshatrat e fundit shqiptare janë diku 25 km prej kufirit. Ato janë tri, fshati Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë i Vllahisë, që janë nën administrimin e komunës të Albanikut, ose më herët është quajtur Leposaviçi. Për fatin tonë të keq, edhe në kohën e monizmit edhe në kohën e lirisë pas lufte, asnjë qeveri e cilësdo parti, nuk ka investuar në infrastrukture në këto tri fshatra. Tash para 4 viteve është shtruar asfalt deri në gjysmën e rrugës, gjysma tjetër ka mbetur e paasfaltuar”, tregon ai.
Sa i përketë shkollimit, Muharremi ka treguar se në fshatin Bistricë ka qenë shkolla që prej viteve 50-ta.
“Ato fshatra e kanë pasë si bashkësi lokale fshatin Bistricë, shkolla ka qenë prej viteve të 50-ta diku. Rreth viteve 1950 shkolla ka funksionu normal, në shkollë kanë gravitu të tri fshatrat, Cerajë, Koshtovë dhe Bistricë, që janë afër me njëra tjetrën. Pra të gjithë banorët shqiptar të asaj pjese janës shkollu në të njejtën shkollë. Për fatin tonë të mirë, organizatat ndërkombëtare pas luftës e kanë renovu shkollën. Sa kam informacion, shkolla është rinovu edhe një herë vitet e fundit, pra shkolla është me komplet kapacitetet shkollore.”
Ndërkohë, ajo që nuk është funksionale, sipas Muharremit, është qendra e mjekësisë familjare. Kësisoj, banorëve të këtyre tri fshatrave u duhet të shkojnë në Mitrovicë për mjekim.
Por si i kanë raportet me banorët e fshatrave serbe përreth?
“Fshatrat serbe, për fatin tonë të mirë, nuk i kemi në fqinjësi, nuk janë afër. Ato fshatra janë diku prej 5 deri në 10 km më së afërmi prej neve. Pas luftës, ne s’kemi pasë probleme konfliktuale ndër etnike me ta… Përkundrazi, politikat e Beogradit i kanë keqpërdorur banorët e pjesës veriore të Kosovës, kanë tentuar shumë here të na i bllokojnë rrugët, të na frikësojnë, që besën e Zotit ka pas edhe instalim të një mine tokësore që për fatin e mirë të fshatarëve, shoferi i autobusit e ka vërejtur në diell atë sajllën e minës… Ky rast ka ndodhur para disa viteve, kur ka qenë ai problem në vitin 2011, ka ndodhur bash në atë kohë. Kanë tentu me i frikësu ato tri fshatra mos me qarkullu në magjistralen e Ibrit, sepse neve na duhet me shku përmes magjistrales së Ibrit dhe me u lidhë në fshatra sepse tjetër rrugë nuk ka. Janë rrugët malore dhe janë të parregulluara”, rrëfen Naim Muharremi, për Albinfo.ch.
Tutje, ai ka theksuar se pa marrë parasysh presionin e jashtëm banorët nuk janë tërhequr nga këto tri fshatra.
“Është një lloj patriotizmi i zhvilluar në ato familje, dhe për atë arsye nuk janë tërhequr dhe nuk e kanë lëshuar atë vend. Në rast se ne e lëshojmë atë vend, nëse ne, banorët e atij lokaliteti largohemi prej atij vendi atëherë me automatizëm… serbët vijnë tek Trepça, ka thënë ai.
A i ka prekur migracioni këto fshatra?
Naim Muharremi edhe pse jeton në Zvicër është shumë i lidhur me fshatin e tij, Bistricën, pasi atje ka familjarë e kusherirë të shumtë. Por ai tregon se sikur ai, shumë familje nga ato tri fshatra kanë emigruar në Europë e më larg.
“Realisht ato tri fshatra kanë qenë të fokusuara në Trepçë përpara, e migracioni i ka prekur pas viteve të 90-ta. Dhe mundem me thanë që prej mërgimtarëve të asaj ane shumica janë të koncentruar në Suedi. Ndërsa në Zvicër ka pak, jemi 4-5 familje aq sa e di unë. Por në atë kohë kur kanë dalë nga Kosova janë drejtur kryesisht në Suedi, përgjithësisht në Skandinavi. Megjithatë ka edhe në Gjermani dhe vende tjera, por në përgjithësi janë atje”, tregon ai.
Tutje, Muharremi ka fajësuar qeveritë e të gjitha kohërave sa i përketë emigrimit të banorëve.
“Për fatin tonë të keq , të gjitha qeveritë e deritashme, pa anu politikisht nga asnjëra, nuk kanë investu për të kriju kushte të favorshme për banorët, jo për ata që janë aty, por me ardhë mundësia me u kthy edhe të tjerë. Sepse shumica e kanë lëshu atë pjesë për shkak të kushteve të infrastrukturës, mjekësore, e gjërave tjera elementare jetësore”, thotë ai.
Si e përjetuan banorët e fshatrave shqiptare në veri të Mitrovicës “shtet-rrethimin” e fundit, për shkak të reciprocitetit, të zbatuar nga Qeveria e Kosovës?
“Banorët e atyre tri fshatrave prej përvojës që kanë me serbët e asaj ane, gjithmonë furnizohen për të paktën 6 muaj. Kësaj radhe bllokada është kriju afër kufirit, na jemi prej kufirit diku 20 km, kështu që s’kemi qenë të bllokuar. Por më herët kur ka pasë bllokada, i kanë blloku rrugët e fshatit ku ndahesh nga Magjistralja e Ibrit për ato tri fshatra, bash aty kanë vënë zhavor 4-5 kamiona”, rrëfen Muharremi.
E për të përmbyllur rrëfimin e tij për Albinfo.ch, Naim Muharremi ka potencuar se duhet të vizitohen fshatrat në Mitrovicën veriore për të kuptuar esencën e tyre.
“Ato tri fshatra janë themeli i shtetit. Definitivisht pa shku me e vizitu nuk e kupton esencën”, ka përfunduar ai./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin
Jeta në Austri
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë














