Lajme

Nevrikoset me Thaçin, Peci jep dorëheqje

Dorëheqjen e tij Peci ia ka ofruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i treguar edhe arsyet pse po e braktisë këtë mision dy ditë pas emërimit të tij si zyrtar ndërlidhës

Dy ditë iu kanë dukur sa dy vjet diplomatit të parë kosovar, Lulzim Peci për të qëndruar në Beograd. Si zyrtari i parë ndërlidhës i Republikës së Kosovës në Serbi. Peci sot ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga ky post, i pakënaqur me shefin e qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Dorëheqjen e tij Peci ia ka ofruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i treguar edhe arsyen pse po e braktisë këtë mision dy ditë pas emërimit të tij si zyrtar ndërlidhës.

Në letrën dërguar Presidentes, Peci ka thënë se dorëheqja pason mospajtimin dhe kritikat që i janë bërë nga kryeministri Thaçi, në lidhje me deklaratën e tij në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e vendit tonë.

“Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tonë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por siç po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Peci.

Në fund të letrës, Peci ka falënderuar presidenten Jahjaga dhe ish- presidentin Sejdiu për besimin që i kanë dhënë për udhëheqjen e misioneve diplomatike të shtetit tonë në Stockholm dhe Beograd.

Lulzim Peci, ish-ambasador i Kosovës në Stokholm, të hënën është emëruar përfaqësues i Kosovës në Beograd, ndërsa sipas marrëveshjes, në Prishtinë është akredituar Dejan Paviçeviq. Qeveria akoma nuk është deklaruar për dorëheqjen e Pecit.