Shkurt.ch

Nesër në Zvicër pritet stuhia me rrezikshmëri të lartë, “Burglind”

"Bëhet fjalë për një stuhi dimërore të kategorisë së lartë. Që nga stuhia Lothar (para 18 vitesh), kjo do të jetë mbase stuhia më e fortë”

Nga nesër, e mërkurë, Zvicra do të “vizitohet” nga një stuhi shumë e fuqishme. Me këtë rast, meteorologët këshillojnë qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm nëse dalin nga shtëpia.

Erërat e fuqishme do të fillojnë që në mbrëmjen e sotme, kur ato do të arrijnë shpejtësinë deri 80 kilometra në orë, shkruan meteonews.ch. Por ato do të jenë dukshëm më të fuqishme të mërkurën, kur Zvicra do të pushtohet nga stuhia e njohur me emrin “Burglind”, transmeton albinfo.ch.

“Stuhitë e deritashme kanë qenë `lojëra fëmijësh`. Të mërkurën fillojnë ato të rrezikshmet”, pohon Roger Perret, meteorolog nga Meteonews.

Paraditen e të mërkurës, sipas tij do të fillojnë në veri të vendit erërat që do të arrijnë shpejtësinë prej mbi 100 kilometrash në orë. “Sa më në veri, aq më keq do të jetë”, ka thënë ai. Sipas Perret, bëhet fjalë për një stuhi dimërore të kategorisë së lartë. “Që nga stuhia Lothar (në dhjetor të vitit 1999), kjo do të jetë mbase stuhia më e fortë”, ka shtuar ai. Prandaj janë të pritshme edhe dëmtime.

Perret këshillon prindërit që nëse dalin, t`i mbajnë fëmijët e tyre përdore, ndërsa në pyje nuk bën të dilet në asnjë mënyrë. Në male pritet të fryjnë erëra prej 15-180 kilometrash në oë. Këto janë stuhi orkanike.