Muzikë
“Nëntori fillon me ne” – Gratë shqiptare të Zvicrës festojnë me këngë, art dhe krenari kombëtare
Diplomatja Shukrije Ramadani shpjegoi simbolikën e kësaj ngjarjeje: “Motoja ‘Nëntori fillon me ne’ është motoja që na bashkon. Është një moto që diçka fillon me ne"
Në prag të festave kombëtare, më dy nëntor 2025 në ambientet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, u mbajt një mbrëmje që ndërthurte artin, muzikën dhe shpirtin e bashkimit. Nën moton “Nëntori fillon me ne”, ngjarja u kthye në një manifestim të përbashkët kulturor që vuri në qendër gruan shqiptare si bartëse të identitetit, kujtesës dhe dashurisë për atdheun.
Nismëtarja e kësaj mbrëmjeje ishte zonja Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, e cila përmes kësaj nisme arriti të bashkojë gratë shqiptare nga kantone të ndryshme të Zvicrës në një atmosferë të ngrohtë dhe simbolike, ku arti u shndërrua në gjuhë të përbashkët të shpirtit kombëtar.
Pjesa e parë e programit u pasurua nga ekspozita artistike e znj. Mihane Sadiku, artiste dhe aktiviste e mirënjohur për të drejtat e grave, e cila përmes pikturës shpalosi rrëfime të fuqishme për dhimbjen, forcën dhe rilindjen femërore.
“Heshtja është forma më e dhimbshme e nënshtrimit,” – theksoi Sadiku, duke kujtuar përfshirjen e saj të hershme në mbrojtjen e të drejtave të femrave shqiptare.
“Sot, përmes artit tim, përpiqem të shpreh atë që fjalët ndonjëherë nuk arrijnë – dhimbjen, forcën dhe rilindjen e gruas. Piktura për mua u bë terapi pas një periudhe të vështirë me shëndetin; aty gjeta energjinë që më mungonte dhe qetësinë që ma rrëzonte jeta. Mos pranoni dhunë, ruani dinjitetin dhe mos lejoni askënd t’ju bëjë të ndiheni fajtorë për guximin tuaj. Gruaja e lirë është themeli i një shoqërie të shëruar.”
Në vijim, skena u mbush me zërat e Korit “Lyra” nga Cyrihu dhe Korit “Lulëkuqet” nga Berna, dy ansamble të lindura nga vetë nismat e grave, që përmes këngës, traditës dhe kujtesës i dhanë ngjyrë emocionit të mbrëmjes.
Në fjalën e saj frymëzuese, diplomatja Shukrije Ramadani ndau simbolikën e thellë të kësaj ngjarjeje: “Motoja ‘Nëntori fillon me ne’ është motoja që na bashkon. Është një moto që diçka fillon me ne. Arsyeja pse kam ftuar Korin e Cyrihut ‘Lyra’ dhe ‘Lulëkuqet’ nga Berna është sepse të dy koret janë nisma nga gratë për gratë – që diçka të fillojë nga ato.Gruaja është nëna që përkund djepin dhe sjell jetë. Ne në Zvicër shohim çdo ditë e më shumë gra që udhëheqin shoqata, bashkësi kulturore e kompani ndër më të suksesshmet. Kemi rritur fëmijët në një vend të huaj, pa ditur gjuhën e as kulturën e këtij vendi – dhe vetëm një grua e fortë mund ta përballojë këtë sfidë. Për mua ka qenë e rëndësishme që këto gra ta ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre – e shtëpia e përbashkët për to është Ambasada e Republikës së Kosovës. Ideja ishte që të bëjmë diçka të përbashkët, nga gratë për gratë, që nëntori të fillojë me ne – ashtu siç ka filluar çdo luftë e çdo fitore me gra. Nëntori është muaji i dashurisë, krenarisë dhe i dhimbjes.”
Ida Jashari, themeluese e Korit “Lulëkuqet” dhe mësuese në mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Ostermundigen–Bern, solli një rrëfim të ngrohtë për origjinën e grupit: “Kori ‘Lulëkuqet’ lindi nga dëshira për t’i bashkuar nënat shqiptare në Zvicër përmes këngës, kujtesës dhe dashurisë për vendlindjen. Nuk jemi profesioniste, por jemi të bashkuara nga një qëllim i madh – të ruajmë gjuhën, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë. Emri ‘Lulëkuqet’ mban simbolikën e gjakut dhe sakrificës së grave shqiptare gjatë gjenocidit në Kosovë. Ne këndojmë për të mos harruar, për të ruajtur shpirtin e bashkimit dhe për t’i treguar brezave të rinj se identiteti jeton përmes zërit, dashurisë dhe kujtesës kolektive.”
Në vijim, Luljeta Fetahi Kastrati, kryetare dhe dirigjente e Korit “Lyra”, ndau përvojën e tyre artistike që është ndërtuar mbi pasion, përkushtim dhe vetëfinancim: “Kori ‘Lyra’ është formuar më 8 mars 2017 – jemi në vitin e 9-të të punës sonë. Kemi shumë aktivitete në shoqata për festat kombëtare dhe gjatë fundvitit këndojmë në shtëpitë e të moshuarve. Ne si grup vetëfinancohemi – çdo anëtare paguan një kontribut vjetor me të cilin financojmë orkestrimin e këngëve për t’i bërë më profesionale. Secila prej nesh kontribuon me shpirt, pa marrë parasysh funksionin apo profesionin.”
Me fjalë mirënjohëse u shpreh edhe Mirela Duka, pedagoge speciale dhe autore e librit “365 ditë autiste”: “Zonja Ramadani, ju falënderoj nga zemra që gjetët kohë të na bashkoni për të festuar fillimin e festave të nëntorit, datat historike të kombit tonë. Ambasada e Kosovës ka mbështetur çdoherë shkollat shqipe duke na siguruar librat për nxënësit. Sot, për herë të parë, dy grupet ‘Lyra’ dhe ‘Lulëkuqet’ u bashkuan dhe lindi dëshira që të vazhdojmë me aktivitete të përbashkëta në të ardhmen. Gruaja shqiptare ka depërtuar në institucionet më të larta të sistemit zviceran, kjo tregon forcën dhe përkushtimin e saj për të ecur gjithmonë më lart.”
Në përfundim të programit artistik, mbrëmja vazhdoi me një aperò të përgatitur nga vetë gratë pjesëmarrëse, ku shijet e kuzhinës tradicionale shqiptare u shkrinë me aromën e miqësisë dhe bashkëbisedimeve të ngrohta.
Në këtë hapësirë miqësore u zhvillua edhe rrjetëzimi midis grave pjesëmarrëse, një moment i çmuar për të ndarë ide, përvoja dhe nisma të reja që forcojnë lidhjet e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Atmosfera festive u përmbyll me duartrokitje dhe ndjenjën e krenarisë që bashkon shqiptarët kudo që ndodhen.
“Nëntori fillon me ne” u dëshmua si shumë më tepër se një mbrëmje kulturore – ishte një manifestim i përbashkët i shpirtit kombëtar që nis nga gratë e diasporës shqiptare, nga zëri i tyre i bashkuar në këngë, art dhe dashuri për vendin e origjinës.
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg... -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë Tregjet e Krishtlindjeve në Schönbrunn, Floridsdorf dhe Favoriten janë hapur tashmë. Sot, hapet edhe tregu i Krishtlindjeve... -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025


















