Lajme

Nënshkruhet marrëveshje për 51 autobusë të rinj

Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës nënshkroi marrëveshjen me kompaninë “Iveco” për blerjen e 51 autobusëve të rinj. Ata do të përdoren për trafikun urban dhe janë të standardit Euro 6

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka nënshkrua sot marrëveshjen për furnizim me autobusë në mes ndërmarrjes “Trafiku Urban” dhe kompanisë çeke “Iveco”, si fituese e tenderit për furnizimin me autobusë urbanë. Marrëveshja parashikon blerjen e 51 autobusëve të rinj të standardit Euro 6.

Në një fjalë rasti, kryetari Ahmeti, tha se pas një procesi të stërzgjatur përfundimisht po finalizohet projekti i reformimit të transportit publik në Prishtinë. Ai e uroi kompaninë “Iveco” për fitimin e tenderit, për të cilin tha se në çdo hap është bërë me rregulla dhe aprovim të BERZH-it.

“Qëllimi është që në vend të 50 makinave me 50 shoferë, ta kemi një autobus urban në qytet, me çka zvogëlohet ndotja e ajrit, trafiku në përgjithësi dhe fitojmë një  transport publik modern” tha Ahmeti.

Ai e potencoi se është hera e parë që një institucion si BERZH-i jep kredi për projekte lokale, me kushte shumë të volitshme, e përveç kredisë projekti parasheh edhe 700 mijë euro grant, për reformimin e trafikut urban, planin e mobilitetit etj.

Në fund Ahmeti tha se autobusët do të jenë të standardit Euro 6 dhe se pas këtij nënshkrimi të kontratës, Kompania “Iveco” do të sjellë autobusët e parë në dy afate: 30 autobusët e parë do të arrijnë brenda 90 ditësh, kurse 21 autobusët e tjerë brenda 120 ditësh.

Edhe përfaqësuesit e “Trafikut Urban”, Halil Mustafa dhe ai i kompanisë “Iveco”, Jiri Skerik, u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e kontratës me shpresë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.