Lajme

Në Zvicër jetojnë rreth 1600 persona mbi njëqindvjeçarë

Midis 1500 dhe 1600 veta më të vjetër se njëqind vjeç jetojnë në Zvicër. Sipas  Zyrës Federale të Statistikave vetëm një në pesë prej tyre është i gjinisë mashkullore

Nga 1950 deri në 2010, numri i qindvjeçarëve dhe të moshuarve në Zvicër pothuajse është dyfishuar çdo dhjetë vjet. Ndërsa,  nga 2012 numri ka mbetur i qëndrueshëm, shkruan srf.ch.

Statistikat aktuale nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) i referohen vitit 2018 – dhe zhvillimeve deri atëherë. Në atë vit, në Zvicër kanë jetuar 1572 persona njëqind e më shumë vjeçarë, transmeton albinfo.ch. Më e vjetra prej tyre, në fund të vitit 2018  ishte 110 vjeçe.

Diferenca të mëdha kantonale

Në Zvicër ka mesatarisht 18 persona njëqind vjeçarë ose më të vjetër, në 100.000 banorë. Mirëpo, këtu ka dallime të konsiderueshme kantonale: Shumica e njerëzve nga kjo grupmoshë jetojnë në kantonet:  Basel-Stadt, Jura dhe Tiçino. Në kantonet e përmendura,  ka 38, 35 dhe 33 njerëz “shekullorë” për 100.000 banorë, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa kuotat janë më të ulëtt në kantonet Aargau dhe Obwalden, me dhjetë gjegjësisht tre njerëz njëqind e më shumë vjeçarë për 100.000 banorë.

Siç mund të merret me mend për këto mosha të shtyra, shumica e madhe, përkatësisht 82 për qind të qindvjeçarëve- janë të ve ose të veja. Vetëm katër për qind janë çifte të martuara, transmeton albinfo.ch. Nëntë për qind kanë qenë beqarë gjatë gjithë jetës, dhe pesë për qind janë të divorcuar.

Rritja e jetëgjatësisë dhe “rekordi” i Shqipërisë

Ndërkombëtarisht, përqindja e njëqindvjeçarëve dhe të moshuarve të tjerë në Zvicër është rreth mesatares. Vlera të ngjashme me Zvicrën ka në Gjermani, Hungari dhe Danimarkë.

Sipas BFS, numrin më të madh të njëqind e më shumë vjeçarëve në 100.000 banorë e kishte Shqipëria. Por, sipas kësaj statistike del një numër i pabesueshëm: 845 në 100,000 banorë! Sigurisht, një numër kaq i madh nuk mund të jetë real, shkruan albinfo.ch. Ky numër duhet të ketë dalë si rezultat i mos azhurnimit të statistikave, sepse nuk ka mundësi që në Shqipëri të ketë 40 fish më shumë mbi 100 vjeçarë se në Zvicër ose në botë, në përgjithësi.

Numër po ashtu shumë të lartë të  “centenarëve”, 213 në 100.000 banorë ka, sipas BFS edhe Turqia, ndërsa në Greqi jetojnë 87 të tillë në 100.000 banorë.

Sipas BFS-së, numri i qindvjeçarëve dhe më të moshuarve në Zvicër pritet të rritet gjatë dekadave të ardhshme për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, përcjell albinfo.ch. Vlerësohet se një në katër nga vajzat e lindura në vitin 2018 dhe një në gjashtë djem do të jetojnë 100 ose më shumë vjet.