Lajme

Në Shkup mbi 45 rrugë pagëzohen me emra shqiptare

Këshilli i Qytetit të Shkupit ka miratuar vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, bulevardeve dhe urave të kryeqendrës.

Nga më shumë se 240 emra të propozuara nga këshilltarët komunal të VMRO-DPMNE dhe BDI, 45 prej tyre përmbajnë emrat e personaliteteve, ngjarjeve dhe vendbanimeve historike shqiptare.

Ndër 45 emrat e rrugëve të miratuara janë: 28 Nëntori, 5 maji – Dita e Dëshmorit, 13 Gusht – Dita e Marrëveshjes së Ohrit, Abdyl Frashri, Gjon Sereçi , Arbëria, Bajram Curi, Bekim Femiu, Dardania, Dervish Hima, Dervish Cara , Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, Tirana, Ismail Qemali, Ismail Kadare, Tirana, Jashar Erebara, Iliria, Jusuf Gërvalla, Meri Edit Dyrham, Hasan Prishtina, Azem Hajdari, 4 dhjetori, etj.

Ndërsa mes emrave të listës së VMRO-DPMNE-së janë emrat: Aleksandri i Madh, Filipi i Dyte, , Dame Gruev, Todor Mihajllov, Goce Dellcev, Nikolla Karev, Pitu Guli, Republika, Goli Otoku, Dragan Bogdanovski, Jordan Mijalkov, Rilindja Maqedonase, Komitat, Falanga maqedonase, Margaret Thaçer, Nelson Mandela, Stiv Xhobs, Faik Abdi, Xhorxh Bush si dhe emra të tjerë ndërkombëtarë dhe të qyteteve të rëndësishme botërore etj.

Partia shqiptare BDI ka vlerësuar këtë vendim, duke theksuar se bëhet fjalë për një arritje të shënuar, që për herë të parë pas shumë dekadave Shkupi do të mbajë emrat e personaliteteve dhe ngjarjeve historike shqiptare. (ina&albinfo)