Lajme

Në Lindje Zvicra ka një imazh më të mirë se në Bruksel

Zvicra ka zgjedhur disa nga rajonet më të vështira të Evropës Lindore për të derdhur kontributet e saj në kuadër të projektit “Një miliard për kohezion”. Në lindje të Evropës Berna gëzon një imazh më të mirë sesa në Bruksel, thotë drejtori i Forumit Lindje-Perëndim.

Në nëntor 2006 populli zviceran pati pranuar derdhjen e “Miliardit për kohezion”. Pesë vjet e gjysmë më vonë ne njohim saktësisht projektet që Berna mbështet në vendet që kanë hyrë në vitin 2004 në Bashkimin Evropian. Dhe, në mënyrë të qartë del në pah se bëhet fjalë për një shpërndarje të të hollave. Deri tani vetëm afro 160 milionë janë shpenzuar. Pjesa tjetër do të shpërndahet në 210 projekte dhe do të jepen deri në vitin 2017.

Nëse ne nuk kemi derdhur shuma parash deri tani në vendet e reja të BE-së, kjo është për shkak të zhvillimit dhe të përzgjedhjes së projekteve që merr më shumë kohë sesa pritej fillimisht, thotë Hugo Bruggmann, përgjegjës për dosjen në Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike.

Siç është shpjeguar nga ana e autoriteteve federale, gjatë publikimit të raportit të tyre të përkohshëm, mjedisi shpesh nuk është i favorshëm për zbatimin e projekteve. Në disa raste, kushtet e këqija ekonomike ose ndryshimet e partnerëve kanë ngadalësuar përparimin e tyre.

Hapje për ekonominë zvicerane

“Ky kontribut në favor të zgjerimit të BE-së mund të hapë dyert për ekonominë zvicerane, shpjegon Georg Dobrovolny, drejtor i Forumit Lindje-Perëndim. Kështu që hapim bashkëpunimin me projektet e BE-së, të cilat kanë një vëllim dukshëm më të madh”.

Në të vërtetë, duket qartë se kompanitë zvicerane do të merren parasysh kur do të bëhen ofertat për projektet e mëdha të financuara nga Brukseli. Kjo para së gjithash, sepse projektet i mbulojnë fushat ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme helvetike kanë aftësi të veçanta.

Të vegjlit dhe të mëdhenjtë

Në Evropën Lindore dhe Qendrore sidoqoftë bashkëpunimi me Zvirën nuk është gjithmonë edhe aq i lehtë. Në bisedën e tij për një radio gjermanofolëse, Malgorzata Wierzbicka, përgjegjës i projekteve në Ministrinë polake për Zhvillim Rajonal, shpjegon se gjërat do të ecnin sigurisht më mirë po të ishte e mundur të përqendrohen në më pak projekte.

“Unë nuk mund të ndaj plotësisht këtë mendim. Pyetja mbetet gjithmonë për të ditur se nga cila anë vjen kritika”, përgjigjet Georg Dobrovolny. Sipas tij, mbështetja e projekteve të vogla nga Zvicra është një gjë shumë e mirë. Rajonet që Berna ka zgjedhur janë të gjitha vende krize. Aq më tepër kur dihet se të gjitha problemet nuk mund të zgjidhen me projekte të mëdha.

“Sigurisht, burokratët e Evropës Lindore si dhe në ato të BE-së preferojnë projekte të mëdha, sepse projektet e vogla kërkojnë relativisht përpjekje më të mëdha, shpjegon Georg Dobrovolny. Por në Republikën Çeke, për shembull, kritika vjen më tepër nga ana tjetër: disa zëra thonë se pranohen projekte tepër të mëdha”.

Asgjë nuk zëvendëson kontaktet e drejtpërdrejta

Pranë miliardave të investuara nga BE-ja, projektet e vogla të Zvicrës duken shumë modeste. Me që Zvicra nuk është anëtar i Bashkimit, ajo ka zgjedhur një tjetër qasje, “e cila e vë në kontakt të drejtpërdrejtë me shumë vende të posaçme”, thekson Kurt Kunz, shef i Bashkëpunimit me Evropën Lindore në Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Megjithatë, qasja zvicerane komplikon gjërat. Për çdo projekt vendet marrëse duhet të sigurojnë vetëfinancimin paraprakisht dhe vetëm pas dorëzimit të dokumenteve përkatëse Zvicra i mbështet duke bërë një pagesë, e cila nuk kalon 85 % të harxhimeve.

“Procedurat e BE-së janë nganjëherë paksa të komplikuara”, tregon Georg Dobrovolny. Sipas tij, bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me vendet pritëse dhe puna për sqarim që bën Zvicra në këto vende janë “të rëndësishme dhe të drejta”.

Mirë për prestigjin e Zvicrës

Gjatë fushatës për votim për projektin “Një miliard për kohezionin” qeveria e kishte paraqitur këtë kontribut si një instrument të rëndësishëm të politikës evropiane të Zvicrës, i cili do të fuqizonte prestigjin e vet. Ky projekt kishte për qëllim ndihmën për të luftuar kundër pabarazisë ekonomike dhe sociale brenda BE-së, gjithashtu edhe përmirësimin e perspektivave ekonomike zvicerane në këto vende.

Georg Dobrovolny ndan këto pikëpamje, miliardi në fjalë është një instrument i rëndësishëm i politikës evropiane: “Zvicra është teorikisht larg nga Evropa, por është mirë që ajo merr pjesë në zhvillimin e lindjes së Evropës”. Këto argumente patën bindur gjithashtu popullatën zvicerane.

“Imazhi i Zvicrës si një mysafire“, e cila vetë ftohet në sofër të të tjerëve” që jep shpesh në Bruksel është kryesisht një taktikë për negociata. Por, Zvicra nuk është një parazit”, thotë eksperti për Evropën Lindore. Zvicra ka zgjedhur fushat më të vështira në vendet ish-komuniste dhe është obliguar me shuma financiare të konsiderueshme dhe gëzon “ndoshta një imazh shumë më të mirë sesa Brukseli”, pohon Georg Dobrovolny.