Lajme

Në këto qytete të Zvicrës mund të shikoni spektaklin e meteorëve

Disa qytete në Zvicrën frëngjisht-folëse do të fikin ndriçimin publik në disa zona për tu mundësuar banorëve të shohin shiun e meteorëve këtë fundjavë.

Perseidët janë një rrjedhë meteorësh që mund të shihet çdo vit në gjysmën e parë të gushtit nëse moti është i kthjellët.

Këtë vit, koha më e mirë për të parë meteorët në Zvicër është nata e së shtunës 12 gusht deri të dielën 13 gusht, shkruan The Local.

Sipas ekspertëve, shikuesit e yjeve do të duhet të shikojnë qiellin vonë në mbrëmje dhe pas mesnate që të vëzhgojnë yjet që bien.

Disa qytete do të zhyten në errësirë në mënyrë që njerëzit të kenë një shans më të mirë për ta dalluar fenomenin, përcjell albinfo.ch.

Projekti Perséides, i udhëhequr nga shoqata me të njëjtin emër, inkurajon zonat frëngjisht-folëse të zbehin ndriçimin e tyre publik për të vëzhguar qiellin. Projekti tha se qindra bashki kanë rënë dakord të fikin ndriçimin pjesërisht ose plotësisht për ngjarjen.

Qyteti i Lozanës po planifikon të fikë dritat publike në dy lagjet pa trafik, Ouchy dhe Sauvabelin.

Ndriçimi i monumenteve të mëdhenj në Lozanë do të zbehet gjithashtu, duke përfshirë Katedralen, Pallatin Rumine dhe Kishën e Saint-François, shkruan The Local.

Nëse qielli është i kthjellët, mund të shihen rreth 200 yje në orë, thanë autoritetet në zonë.

Disa qytete të tjera si Montreux, Morges, Neuchâtel, Nyon dhe disa periferi të Gjenevës duke përfshirë Vernier, Meyrin dhe Confignon po planifikojnë gjithashtu të përfshihen duke fikur ndriçimin.

Rrethet po inkurajojnë gjithashtu bizneset dhe familjet që të fikin dritat e jashtme kur është e mundur.

Ndërkohë La Tour-de-Peilz do të marrë pjesë për herë të parë në event, kryesisht në zonën përreth liqenit dhe kopshtit Roussy, përcjell albinfo.ch.

Qyteti i Vevey po organizon një mbrëmje të vëzhgimit të qiellit të shtunën në bashkëpunim me Société d’Astronomie du Haut-Léman, në Observatorin Vevey.

Shikimi i meteorëve kërkon qiell të pastër dhe të errët. Momentalisht parashikimi i motit për ditët në vijim duket mjaft i kthjellët dhe me diell në të gjithë Zvicrën, edhe pse priten vranësira, shkruan The Local.