Lajme

Në kampet hungareze, 30 kosovarë në grevë urie

Rreth 30 kosovarë të cilët ia kishin mësyrë vendeve të BE-së janë zënë nga autoritetet hungareze. Ata në qytetin Gyl kanë hyrë në grevë urie, duke kërkuar kthimin në atdhe

Rreth 30 kosovarë po mbahen të ngujuar në një kamp korrektimi në qytetin Gyl të Holandës, pasi që ishin kapur nga autoritete hungareze gjatë përpjekjes për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian. Këtë kosovarë kanë hyrë në grevë urie, duke kërkuar kthimin në atdhe.    

 

Adriatik Jakupi është njëri nga kosovarët e ndaluarit në këtë kamp. Ai ka thënë se kushtet në të cilat po mbahen janë shumë të rënda, ndërsa ka dy ditë që janë në grevë urie.

 

“Nuk i dimë arsyet pse na mbajnë në këtë formë. Qe dy ditë nuk kemi ngrënë bukë, sepse ushqimi është shumë i dobët, zakonisht na i sjellin dy rriska buke, të cilat nuk do ta ngopnin as një fëmijë dyvjeçar. Kushtet janë të tmerrshme, jemi 30 veta të vendosur në 4 dhoma”, është shprehur Jakupi për “Zëri”.

 

Ai ka thënë se kushtet e rënda në këtë kamp i kanë shtyrë të ndaluarit që të fillojnë një grevë urie me kërkesë që të kthehen sa më parë në Kosovë.

 

“Jemi rreth 30 persona, pardje kemi filluar grevën me kërkesën e vetme që të na kthejnë në shtëpi, sepse ne nuk jemi as kriminelë e as hajna, thjesht kemi kaluar nëpër këtë vend për të arritur në vende tjera për të gjetur punë”, ka deklaruar Jakupi, sipas të cilit, gjatë ditës vetëm 30 minuta mund t’i kalojnë në oborr.

 

Ai po ashtu ka thënë se autoritetet hungareze po ua marrin edhe ato pak para sa u kanë mbetur.

 

“Na vjedhin hapur, nëse dikush dëshiron ta blejë një kuti cigare, për të ia marrin 10 euro. Ne jemi në gjendje që t’i japim nga 50 euro për t’u kthyer në Kosovë, por nuk kemi shpresa se kjo do të ndodhë”, ka thënë Jakupi. Ai ka thënë se në këtë kamp të ndalimit është sjellë para dy javësh, por, sipas tij, ka të tjerë që janë me muaj të tërë.

 

Madje Jakupi ka treguar se dy persona në këtë kamp i kanë paguar nga 550 euro për t’i kthyer në Kosovë, por atyre u janë marrë paratë dhe u kanë thënë që do t’i kthejnë më 2 prill.

 

Jakupi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të bëjë diçka për kthimin e tyre në Kosovë. “Qeveria duhet të bëjë diçka që të kthehemi sa më shpejt, jo vetëm unë, por të gjithë këtu, sepse asnjëri nga ne këtu nuk kemi dalë për qejf nga Kosova, por për shkak të kushteve të rënda”, ka thënë ai.