Lajme

Në Bruksel fillon një faze e re e dialogut Kosovës-Serbi

“Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dy vendet”, tha presidenti Thaçi pas takimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksander Vuçiq kanë nisur sot në Bruksel një raund të ri negociatash, për normalizimin e raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi. Procesi po ndërmjetësohet nga shefja e BE-së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ndërsa për dy vendet konsiderohet jetim për rrugën integruese.

Pas, takimit, presidenti Thaçi ka thënë se takimi i udhëhequr nga Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Vuqiç, u fokusuam në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të qonin drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi në mes shteteve tona dhe popujve tanë.

“Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dy vendet, për rajonin, të ardhmen evropiane më të sigurt dhe të shpejtë të vendeve tona”, ka shtruar ai.

Presidenti ka thënë se Bashkimi Evropian do të udhëheqë këtë proces suksesshëm, një proces intensiv, dinamik të kësaj faze të re me qëllim dhe vizion të qartë, por në të njëjtën kohë edhe afatizime kohore.

“Ne jemi dakorduar që ky proces të përfundojë sa më i shpejtë, që të jetë sa më shpejtë i arritshëm, të finalizohet dhe implementohet sa më shpejt”, ka thënë presidenti Thaç, sipas të cilit, ky proces nuk do të jetë garë, por do të jetë një proces i standardeve, i vlerave të cilat duhet të ngadhënjejnë në të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë, dhe këto vlera janë vlerat evropiane.

“Pra, do të jetë një proces i bazuar mbi standardet dhe vlerat evropiane, dhe interesin e dy vendeve”, ka thënë Presidenti.

Ai është shprehur i bindur dhe besimplotë se institucionet e Kosovës, spektri politik kosovar, shoqëria civile, mediat, personalitet me ndikim në opinionin publik, ekipet e ekspertëve do të japin kontributin e tyre të çmueshëm për këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Presidenti Thaçi më parë ka zhvilluar një takim bilateral me përfaqësuesen e lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini. Në këtë takim, Presidenti ka potencuar domosdoshmërinë e hapave konkret evropian për Kosovën, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke ndalur izolimin e padrejtë që po i bëhet qytetarëve të Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se mbeten edhe një muaj e gjysmë që të përgatitet faza e re e dialogut.

“Nuk ka dyshim që dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por do të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet pas 1, 2 apo 5 viteve”, ka deklaruar Vuçiq. Një fazë e tillë e dialogut dhe temat që do të hapen, sipas Vuçiqit e shtron nevojën që për këto çështje të flitet edhe brenda Serbisë, edhe brenda Kosovës.

Kurse shefja e BE-së, Mogherini, ka ritheksuar rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Fillimisht, ajo ka biseduar ndaras me Thaçin dhe Vuçiqin, në takimet që kanë zgjatur nga 30 minuta dhe më pastaj ka organizuar edhe takimin e përbashkët me të dy presidentët.

Mogherini, pas takimit ka shkruar në Twitter se është pajtuar me dy presidentët që të nisë një fazë e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.