Kosova

Në Austri nuk mund të vozitet me patentë-shofer kosovar

Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se bizneset në Kosovë janë të diskrimiunuara sa i përket transportit të mallrave për shkak të mungesës së dokumenteve të automjeteve për lëvizjen e lirë nëpër vende, si dhe mos-njohjen e patentit për shofer të lëshuar nga institucionet e Kosovës.

OEK-u thotë se secili transport ngarkohet me një kosto shtesë prej 2,500-3,000 euro. E, sikur Kosova të ishte e barabartë me shtetet tjera, atëherë do të hapeshin 20,000 vende të reja të punës, shkruan “kallxo.com”.

Një shqetësim tjetër është edhe fakti që Austria e pamundëson kalimin tranzit nëpër këtë shtet, drejt vendeve të tjera evropiane sepse nuk e pranon patent-shoferin e lëshuar nga institucionet kosovare, po ashtu shqetëson fakti i procedurave burokratike për dhënien e vizave që është shndërruar në një ndër barrierat më të theksuar për biznesin vendor sidomos në vitin 2016, 2017 e për fat të keq po vazhdon edhe në vitin 2018, përcjell albinfo.ch.

Në aspektin rajonal dhe në implementimin e CEFTA-së vet fakti që dy shtete nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, siç është Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në të njëjtën kohë ato nuk pranojnë dokumentacione dhe e pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, shërbimeve dhe mallrave nga Kosova me ç’rast e bëjnë të pamundur të jemi të barabartë dhe konkurrues në këtë pikëpamje.

Në aspektin e bashkëpunimit evropian, duke u nisur nga fakti që pesë shtete nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës paraqesin problem shtesë për komunitetin e biznesit vendor, qoftë për lëvizje të shërbimeve, mallrave po ashtu edhe lëvizjen e qytetarëve. Ky problem në të njëjtën kohë i minimizon efektet pozitive të pritura nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim, e siç duket qytetarët e Kosovës e përjetojnë këtë marrëveshje si një shtëpi të bukur, por pa derë hyrëse dhe dalëse.

Vet fakti që ne si shtet nuk posedojmë kartonin e gjelbër, ATA-karnetin, TIR-karnetin dhe shumë dokumente obligative për biznes ndërkombëtar, bizneset vendore janë të obliguara që të shfrytëzojnë shërbimet transportuese nga  vendet e rajonit gjë që e ngrit koston e importit dhe e godet drejtpërdrejtë qytetarin.

Aq më keq është fakti që shumë kompani vendore posedojnë mjete transportuese, por është i pamundur shfrytëzimi i tyre, e në të njëjtën kohë një maunë importesh nga vendet evropiane e ngarkon koston e importuese në 2500-3000 euro.