Lajme

Mustafa ia nis punës: PDK i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

PDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet e Mustafës kryeparlamentar, ndërsa partitë që mbështesin bllokun tri-partiak e konsiderojnë si zgjedhje të rregullt.

Zgjedhja e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit të Kosovës, vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshe nga politikanët dhe analistët në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet e Mustafës, ndërsa partitë që mbështesin bllokun tri-partiak (LDK, AAK, Nisma) e konsiderojnë si zgjedhje të rregullt.

 

Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se në rast se Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të rregullt seancën konstituive të Kuvendit dhe e legjitimon, Isa Mustafën si kryetar të Kuvendit, PDK do ta pranoj një vendim të tillë dhe do ta njohin Mustafën si kryeparlamnetar.

 

Këtë deklaratë Haliti i ka dhënë pas dorëzimit të kërkesës së PDK-së për pezullimin e seancës konstituivet Kuvendit, në Gjykatë kushtetuese.

 

“Mendojmë se janë bërë shkelje të Kushtetutës, janë shkelë procedurat dhe po kërkojmë që gjithë kjo procedurë të pezullohet dhe të rifilloj seanca e re. Kemi kërkuar që të pezullohet kjo procedurë dhe Kushtetuesja mund ta vendos këtë”, ka deklaruar Haliti.

 

Ai tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të padiskutueshme dhe PDK i pranon ato. Ai më tej ka thënë se kanë kërkuar gjithashtu që të mos lejohet mbajtja e seancave tjera të Kuvendit derisa të mos jep përgjigje Gjykata Kushtetuese për legjitimitetin e seancës konstituivet Kuvendit.

 

Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi i cili është edhe kryetar i PDK-së, e konsideron jo të rregullt mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e rrjedhimisht të paligjshëm ehe kryeparlamentarin Isa Mustafën.

 

“Dje pamë skena jo të dinjitetshme për demokracinë kosovare, të nxitura nga liderë politike që kurrë në jetën e vet nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje tash e 15 vite në Kosovën e lirë”, thotë Thaçi.

 

Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të tekeve.

 

“PDK duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe jovalide vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive, shpreh qëndrimin e saj se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme. Të barabarta me një zero të madhe”, ka shkruar Thaëi në facebook.

 

E pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, edhe Presidentja Atifete Jahjaga nuk do të mund të ecë me propozimin e mandatarit të ri për qeveri. Zëdhënësi Arbër Vllahiu, ka thënë se presidentja do ta respektojë edhe kërkesën për interpretim për çështjen e kryeparlamentar

 

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ndërkaq ka nisur zyrtarisht punën si Kryeparlamentar. Ai ka arritur në zyrën e tij në Kuvend qysh në mëngjes dhe është në përgatitje të thirrjes së seancës së re të Kuvendit.

 

Mirëpo, ajo që është brengosëse për kryeparlamentarin e sapozgjedhur, është mungesa e urimeve nga stafi diplomatik ndërkombëtarë. Asnjë mesazh urimi nuk e ka pranuar ai, që tregon se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Mustafa nuk do të njihet si kryekuvendar i Kosovës.

 

Urimet e vetme për Mustafën, kanë ardhur nga Tirana, nga kryeparlamentari Ilir Meta dhe lideri opozitar, Lulzim Basha.

 

Në anën tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Sahatqija ka thënë se Kuvendi ishte i rregullt dhe si rrjedhojë edhe zgjedhja e Isa Mustafës është bërë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe Rregulloren e vendit. Njëjtë kanë menduar edhe Fatmir Limaj i partisë Nisma, dhe Albin Kurti i Vetëvendosjes.

 

Megjithatë, ky i fundit është shprehur skeptikë në vendim që do ta jap Gjykata Kushtetuese. “Të them të drejtën nuk jam optimist për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese. E aq më pak të paanshëm dhe profesional”, ka thënë Kurti i Vetëvendosje.

 

Ndërsa Limaj vazhdon të këmbëngulë se seanca e djeshme ka qenë legjitime, ndërsa e kundërshton deklarimin e PDK-së se seanca ka qenë e mbyllur, në kohën kur është zgjedhur Mustafa kryeparlamentar. “Seanca mbyllet kur zgjidhen të gjitha organet”, tha Limaj.

 

Ai tha se nuk e shqetëson ankesa e PDK- së në Gjykatën Kushtetuese, por dje e kanë shqetësuar disa situata. “Zonjën Brovina e kanë parë 2 milionë shqiptarë që po bënë shkelje të rendit të ditës”, tha Limaj, sipas të cilit, marrja e mikrofonit do të nënkuptonte anarki.

 

Ndërsa Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Kuvendi tash ka një udhëheqje të re, pavarësisht parregullsive që e kanë përcjellë seancën konstituive.

 

“Absolutisht po, unë mendoj që tani organet janë të zgjedhura, pa çka se nuk është kompletuar kryesia e Kuvendit, sepse një anëtar nga PDK-ja po ashtu edhe nga koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe nga Lista Serbe, nuk janë propozuar dje dhe si e tillë Kryesia e Kuvendit nuk konsiderohet si e kompletuar. Por, mendon që ata, të cilët të enjten morën votat, disa nga ta me 2/3 votave, mendoj se sot është dita e parë e punës se tyre në Kuvendin e Kosovës”, thotë Selmanaj.