Lajme

Murati kërkon raport për tarifat kufitare

Këtë kërkesë Murati e adresoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Ai premtoi se shumë shpejt do të fillojë pagesa online e sigurimeve kufitare

Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, që të raportojë lidhur me propozimet për heqjen e tarifes kufitare që aplikohet për bashkatdhetarë si taksë sigurimi për vetura. Këtë kërkesë Murati e adresoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Mos-anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove e rrjedhimisht aplikimi i tarifës së sigurimit kufitar, sipas tij, po vazhdon të godas diasporën, ekonominë e vendit por edhe qytetarët e Kosovës.

“Andaj sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik kërkova nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, e cila edhe mori obligim, që në mbledhjen e radhës të vij me një raport me propozime për rrugët që duhet të ndiqen për eliminimin e kësaj tarife”, deklaroi Murati.

Duke u bazuar në propozimin që ka dhënë përfaqësuesi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Murati thotë në facebook, se shumë shpejt do të filloj edhe pagesa online për sigurimet e automjeteve. “Përfaqësuesi i BSK-së njoftoi se shumë shpejt do të fillojë aplikimi i pagesave on-line të sigurimeve kufitare si një lehtësim logjistik për bashkatdhetarët tanë”, tha ai.

Ndryshe, aplikimin e tarifave kufitare në formë sigurimesh që aplikon BKS për bashkatdhetarët kosovarë, konsiderohet si plaçkë nga opozita dhe analistët kosovarë. Madje Lëvizja Vetëvendosje këtë plaçkë e ka ndlidhur direkt me politikën, me vëllanë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të afërmin e ish presidenti Behgjet Pacolli.