Kosova
MPJ i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare: Serbia po sinjalizon gatishmërinë për agresion
Sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka deklaruar se Qeveria serbe nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se deklarata e fundit e Serbisë ndaj vendimit të Kenias për njohjen e Republikës së Kosovës “vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”, përcjell albinfo.ch.
Republika e Kenias e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ministria e Jashtme serbe ka dënuar këtë vendim, duke e cilësuar si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe “cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të OKB-së”.
MPJ e Kosovës e ka quajtur shqetësuese deklaratën e Serbisë, duke e vlerësuar si një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe alarmues kundër Kosovës.
“Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë këto kërcënime seriozisht”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit.
Në reagimin e saj, MPJ e Kosovës thotë se Serbia po vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saj të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, thuhet më tej.
Tutje thuhet se, derisa Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë, bota e di se bëhet fjalë për të njëjtën Serbi, nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filluan katër luftëra në Ballkan në vitet ’90, dhe që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.
“Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve. Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë – masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë – të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare – e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”, thuhet në reagim.
Ministria shton se deklarata e Serbisë është e mbushur me gënjeshtra të hapura dhe dezinformata të qëllimshme. Ndërkaq, theksohet se Serbia vazhdimisht refuzon ta përmbyllë dialogun dhe të normalizojë marrëdhëniet, refuzon të nënshkruajë marrëveshje, mohon hapur angazhimet e saj ndaj BE-së dhe mashtron bashkësinë ndërkombëtare.
“Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vitet e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht.”
E-Diaspora
-
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia Një 28-vjeçar dhe një 33-vjeçar shqiptar u arrestuan në vendngjarje. Njëri prej tyre kishte pësuar plagë... -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa








