Lajme

Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë

Situata në veri të Shqipërisë, vijon të mbetet problem për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta që mbizotërojnë në vend

Dhjeta komuna kanë mbetur të bllokuara për shkak të borës, ndërkohë akset kombëtare janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa akset rrugore dytësore mbeten të bllokuara.

Kështu problematik mbetet rrethi Pukë, Dibër, Kukës, ku të gjitha fshatrat janë të bllokuara nga bora. Drejtoria Arsimore njofton mbylljen e shkollave në rrethin e Pukës.

Policia bën me dije se segmenti Qafë Mali-Bajram Curri, Qafë Mali-Kukës janë bllokuar nga bora, ndërkohë kalohen me vështirësi Pukë-fushë Arrëz-Mirditë, Pukë, raportojnë mediat e Tiranës.

Kukës, të gjitha rrugët rurale të bllokuara. Rrethi i Tropojës është i izoluar temperaturat tepër te ulëta -9 duke sjellë që komunat në veri të vendit të mos komunikojnë me njëra-tjetrën. Në akset Bajram-Curri dhe Qafë-Morinë ka pasur rënie të ortekëve gjatë natës.

Hiq më mirë nuk është gjendja as në Maqedoni. Enti Hidrometeorologjik i këtij shteti ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të ardhshme parashikohet moti i keq me reshje intensive të borës dhe erë në Maqedoni.

Deri në fund të javës do të mbretërojnë temperatura të ulta, erë dhe reshje bore. Të hënën do të pasojnë reshjet, ku në disa vende do të arrijë trashësia deri në 30 cm. Reshjet e borës do të pasojnë edhe në pjesët qendrore, lindore dhe juglindore të vendit.

Gjatë dy ditëve të ardhshme do të ketë erë nga veriu, ku në disa vende do të jetë me shpejtësi prej 70 km në orë.

Kurse komuna e Gostivarit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e reshjeve intensive të borës dhe bllokimit të shkaktuar. Komuna ka urdhëruar ndërprerjen e procesit mësimor deri të mërkurën, ndërsa varësisht nga zhvillimi i situatës dhe reshjet, do të sillen vendime, raporton INA.

Autoritetet komunale kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme dhe aktivitete për sigurimin e lëvizjes së lirë në komunikacion dhe rrugët lokale në zonat periferike.

Nga komuna informojnë se janë të angazhuar tetë firma me makinerinë e tyre për të pastruar rrugët dhe trotuaret e qytetit.

Në këtë operacion është përfshirë edhe ndërmarrja publike “Komunalec”, e cila po kryen pastrimin dhe sigurimin e rrugëve. Autoritetet komunale kanë apeluar që qytetarët të mos parkojnë makinat e tyre nëpër rrugë duke pamundësuar makineritë që të pastrojnë rrugët.