Futboll

Monika Ibishaj: Me pasion drejt majave të futbollit profesionist

“Nuk ishte gjithmonë e lehtë. Duhej të provoja vazhdimisht se isha po aq e aftë, e përkushtuar dhe e talentuar sa djemtë”

Monika Ibishaj është një nga talentet e reja premtuese të futbollit të femrave në Zvicër. E lindur në këtë shtet, me rrënjë nga Kosova, ajo ka ndërtuar një karrierë të admirueshme që nga moshat e hershme. Nga fushat e vogla të Embrach-ut e deri te skuadra e parë e FC Zürich, Monika ka treguar që me pasion, punë të palodhur dhe mbështetje të duhur, çdo ëndërr është e realizueshme  madje edhe në një fushë që ende konsiderohet e dominuar nga meshkujt.

 

albinfo.ch: Kur dhe si e zbuluat dashurinë për futbollin?
Monika Ibishaj: Dashurinë për futbollin e kam zbuluar shumë herët  mund të them se gjithmonë ka qenë aty. Në familjen time, futbolli ka qenë gjithmonë një temë shumë e rëndësishme. Që fëmijë, isha vazhdimisht jashtë, zakonisht me topin në këmbë. Qoftë vetëm apo me shokë, gjithmonë doja të luaja futboll. Për mua nuk ishte thjesht një lojë, por pjesë e përditshmërisë sime.

albinfo.ch: Si ka nisur udhëtimi juaj në futbollin e vajzave në Zvicër?
Monika Ibishaj: Udhëtimi im filloi në mënyrë të papritur. Disa prindër të fëmijëve të tjerë i kishin thënë babait tim se shihnin potencial tek unë. Megjithatë, babai im ishte pak skeptik për të më regjistruar në një klub, pasi futbolli ende shihej më shumë si “sport për djem”. Ishte motra ime ajo që e mori iniciativën dhe më regjistroi në klubin e fshatit tonë, në ekipin F-Junioren. Kështu nisi gjithçka. Rrugëtimin tim e vazhdova gjithë rininë duke luajtur me djemtë.

albinfo.ch: Kush ju ka mbështetur më shumë në këtë rrugë?


Monika Ibishaj: Fillimisht, ishte motra ime ajo që më hapi derën drejt futbollit. Pastaj babai im u bë mbështetësi më i madh  më dërgonte dhe më merrte nga çdo stërvitje, më jepte këshilla dhe gjithmonë kujdesej që të kisha pajisjet më të mira. Ai ishte aty në çdo sukses dhe çdo dështim, dhe edhe sot e kësaj dite më përkrah në çdo ndeshje. Përveç familjes sime, forca ime ka ardhur edhe nga besimi në Zot, i cili më jep energji dhe siguri. Pa këtë mbështetje, rrugëtimi im nuk do të kishte qenë i mundur.

Sfidat dhe paragjykimet në një sport të dominuar nga meshkujt

albinfo.ch: Si ishte të vendosesh në një sport që shpesh shihet si sferë e meshkujve?
Monika Ibishaj: Nuk ishte gjithmonë e lehtë. Duhej të provoja vazhdimisht se isha po aq e aftë, e përkushtuar dhe e talentuar sa djemtë. Shpeshherë nuk më merrnin seriozisht ose më nënvlerësonin. Por pikërisht këto momente më motivuan të punoja edhe më shumë. Me kalimin e kohës, përmes disiplinës dhe pasionit, fitova respektin që më takon. Tani jam krenare që kam gjetur vendin tim dhe mund të jem një shembull për vajzat e tjera që aspirojnë të bëjnë të njëjtën gjë.

albinfo.ch:A ekzistojnë ende paragjykime ndaj vajzave në futboll? Çfarë duhet të ndryshojë?

Monika Ibishaj: Po, fatkeqësisht ende ekzistojnë stereotipe që u mohojnë vajzave aftësitë teknike, fizike dhe taktike në futboll. Për të ndryshuar këtë realitet, duhet të krijohen kushte të barabarta për skuadrat e vajzave  pajisje të barabarta, përkujdesje profesionale dhe më shumë dukshmëri në media. Duhet të ketë më shumë sponsorë dhe transmetime të rregullta në TV për të sjellë futbollin e femrave në qendër të vëmendjes.

albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në karrierën tuaj si futbolliste?

Monika Ibishaj: Sfidën më të madhe e kam pasur në përpjekjen për të balancuar shkollimin me stërvitjet, ndeshjet dhe njëkohësisht me punën. Kjo kërkon shumë disiplinë, organizim dhe sakrifica për të dhënë maksimumin në çdo aspekt të jetës.

albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për gjeneratën e re?

Monika Ibishaj: Besoni në veten tuaj dhe ecni përpara, edhe kur gjërat bëhen të vështira. Mos lejoni që paragjykimet t’ju ndalojnë. Shkolla, puna apo trajnimi mund të jenë të lodhshme, por me pasion dhe këmbëngulje gjithçka është e mundur. Dështimet janë pjesë e rrugës  ato na bëjnë më të forta. Mbështetni njëra-tjetrën, ruani ndershmërinë dhe rrituni së bashku  si lojtare dhe si njerëz.

albinfo.ch: Çfarë duhet bërë për të krijuar më shumë mundësi për vajzat, sidomos ato me prejardhje migrante?

Monika Ibishaj: Duhet të ofrohet qasje e lehtë në klube, mbështetje financiare dhe informim për familjet. Përfshirja e prindërve dhe krijimi i një ambienti të sigurt e të respektueshëm është thelbësor. Modelet me prejardhje të ngjashme dhe trajnerë të trajnuar me ndjeshmëri kulturore mund të bëjnë një ndryshim të madh në kapërcimin e barrierave.

albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë të luajnë futboll?

Monika Ibishaj: Mesazhi im është i qartë: Besoni në vetvete, mos u dorëzoni dhe mos lejoni që askush t’ju ndalojë. Edhe nëse rruga është e vështirë, me pasion, përkushtim dhe guxim mund të arrini gjithçka. Futbolli është për të gjitha – pa marrë parasysh nga vini apo çfarë thonë të tjerët.

Portreti i Monikës

Jam Monika Ibishaj, 19 vjeç, e lindur në Zvicër me rrënjë nga Kosova. Kam nisur të luaj futboll te FC Embrach dhe më pas kalova te FC Zürich në ekipin U14 për vajza. Kam luajtur edhe per Zvicrën, nga U14 deri U19.

Aktualisht jam pjesë e ekipit të parë të FC Zürich Frauen. Luaj si mesfushore ofensive, por kam luajtur edhe në krah apo në sulm. Stili im i lojës pasqyron pasionin tim për futbollin  gjithmonë jap maksimumin, kënaqem në lojë dhe flas shumë në fushë.