Lajme

Mitrovica nën tension pas shpërthimeve të fundit

Prefekti i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se shpërthimet e vazhdueshme në veri janë duke e mbajtur situatën të nderë. Ai kërkoi më shumë siguri nga KFOR-i dhe Policia

Përfaqësuesit e Komunës së Mitrovicës e kanë vlerësuar shumë të tensionuar situatën e sigurisë në veriun e Kosovës për shkak të incidenteve të shpeshta që janë duke ndodhura. Shpërthimi i mbrëmshëm në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, siç thuhet, ka tensionuar edhe më shumë situatën në Mitrovicë.

Këto vlerësime dolën të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Prefekti i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se strukturat e sigurisë duhet të marrin masa dhe të izolojnë grupet dhe strukturat ilegale serbe që janë duke vazhduar të krijojnë incidente.

“Shpërthimet e vazhdueshme në veri janë duke e mbajtur situatën të nderë”, tha Kastrati, i cili përshëndeti veprimin e KFOR-it për largimin e barrikadës në afërsi të Rudares.  

“Barrikadat në rrugë nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë, meqë ato  vështirësojnë së tepërmi jetën e qytetarëve dhe lëvizjen e lirë”, tha Kastratit.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala përmendi shpërthimet që kanë ndodhur të dielën mbrëma në veri, përkatësisht në afërsi të zonës së “Tre rrokaqiejve” dhe në Leposaviq.

“Për fat nuk ka pasur të lënduar, por kanë shqetësuar banorët tejmase”, tha ai duke përmendur edhe problemin e alarmit që po keqpërdoret nga strukturat ilegale serbe.  “Është një gjë shumë e papranueshme që strukturat kriminale të përdorin alarmin për qëllime të tyre. Kjo është duke i shqetësuar dhe irrituar qytetarët”, tha Bala.

Ndërkaq duke folur për barrikadat, Bala tha se pas largimit të asaj që ka qenë në afërsi të Rudares, grupet serbe prapë kanë vendosur disa barriera që kanë vështirësuar qarkullimin aty. “Problemi më i madh është më banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit, të cilët lëvizin në atë drejtim”, konsideron ai.

Drejtori komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim kërkoi më tepër angazhim dhe vendosmëri nga strukturat e sigurisë, të cilët sipas Balës, duhet të parandalojnë dhe arrestojnë personat që janë duke vazhduar të sfidojnë hapur rendin dhe ligjin në veri.

Mitrovica që nga përfundimi i luftës bartë me vete sinonimin e ndarjes. Qyteti veriut i njohur dikur si qyteti i plumbit dhe zingut, është ndarë në mes. Në njërën anë të lumit Ibër banojnë serbët të cilët e sfidojnë autoritetin e Prishtinës dhe paguhen nga Beogradi zyrtar dhe në anën tjetër jetojnë shqiptarët.

Tensionet në këtë qytet kanë vazhduar që nga qershori i vitit 1999 kur NATO ndërhyri në Kosovë.