Lajme

Mirëpriten mërgimtarët me këngë e valle

Ministria e Diasporës dhe komunat e vendit po bëjnë përgatitjet përfundimtare për ta mirëpritur valën e madhe të mërgimtarëve

Koha ka filluar të nxehet e mbi rrugët e pluhurosura të Kosovës, edhe veturat kanë nisur të shtohen.

Targat që ato mbajnë janë nga më të ndryshmet, Britania e Madhe, Suedia, Gjermania, Zvicra, Holanda e Italia.

Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet në rrugë për të evituar ndonjë aksident të mundshëm për shkak se shumë të tilla janë duke u rinovuar dhe ndërtuar.

Ndërkohë, edhe zyrtarët e institucioneve qendrore dhe lokale janë duke bërë përgatitjet përfundimtare për ta mirëpritur diasporën e madhe.

Nga mesi i muajit qershor e deri në fillim të muajit shtator, drejt Kosovës vijnë mijëra mërgimtarë nga vende të ndryshme të Evropës perëndimore.

Kjo është koha e pushimeve. Si çdo vit, ata preferojnë që ato ditë t’i kalojnë në Kosovë-atdheun e tyre.

Mirëseardhje-me këngë e valle

Për dallim nga vitet e kaluara, kësaj here, Ministria e Diasporës, edhe pse e sapo formuar, duket se e ka marrë me shumë seriozitet mirëpritjen e mërgimtarëve.

Në kuadër të kësaj ministrie është krijuare dhe një këshill i veçantë i cili është duke finalizuar aktivitetet që do të organizohen për nder të mërgimtarëve.

Ibrahim Makolli, ministër në Ministrinë e Diasporës, tregon për albinfo.ch se këshilli është duke planifikuar detajet që në bashkëpunim me komunat e vendit të ketë shumë organizime, kryesisht kulturore.

“Manifestimi ‘Ditët e mërgatës’ do të përqendrohet në Prishtinë, por edhe në komunat tjera do të ketë aktivitete të ndryshme”, thotë ministri Makolli.

Sipas tij, me koordinimin e Ministrisë së Diasporës, nuk do të ketë aktivitete vetëm në komunat më të mëdha të vendit, por edhe në ato më të vogla.

“Besoj se pas datës 20 korrik, do të dihen në mënyrë më specifike dhe saktë se kur, si dhe në cilët vende do të jenë këto aktivitete sepse ekipi është duke punuar”, shpjegon ministri, duke qenë i vetëdijshëm se janë pak të vonuar në këtë drejtim.

“Jemi pak vonë kësaj here sepse edhe ministria është krijuar vonë. Por po bëjmë më të mirën që mundemi”, thotë Makolli për albinfo.ch.

Megjithëkëtë, ministri shpalos disa detaje të këtyre aktiviteteve që pritet të organizohen nga fundi i muajit korrik e deri në fund të muajit gusht.

“Pritet të ketë koncerte të ndryshme, ekskursione nëpër Kosovë të organizuara për fëmijët e mërgimtarëve, kuize të ndryshme të diturisë e aktivitete të tilla”, thotë ministri Makolli.

Sipas tij, të gjitha këto aktivitete do të jenë të bashkë organizuara edhe nga komunat respektive në Kosovë, ngase edhe në qendrat e tjera, përveç Prishtinës, do të ketë organizime të ndryshme.

© albinfo.ch: Muhamet Gashi

Komunat festojnë me mërgimtarët

Në fakt, përveç aktiviteteve kulturore, komunat e vendit, për këto ditë të verës, kanë shtrënguar radhët për të pritur një numër të madh të mërgimtarëve që u drejtohen sporteleve për të nxjerrë dokumente të ndryshme.

Një prej këtyre komunave është edhe Prishtina e cila pret numër të madh të mërgimtarëve që në javët në vazhdim, do t’i drejtohen asaj për të marrë dokumente të ndryshme.

Muhamet Gashi, zëdhënës i komunës së Prishtinës, tregon për albinfo.ch se për këtë periudhë kohore, ata kanë shtuar kapacitetet e nevojshme në komunë, që t’u përgjigjen interesimit të mërgimtarëve.

“Këtë e kemi bërë që t’iu lehtësojmë mërgimtarëve kohë në mënyrë që ata sa më shpejt të mbarojnë punë”, thotë Gashi, i cili sqaron se megjithatë, as planet për aktivitete kulturore nuk i kanë lënë anash.

“Por ndryshe nga vitet e kaluara, kësaj here Ministria e Diasporës është bartëse kryesore e organizimeve dhe komuna do të organizojë gjithçka në koordinim me këtë institucion”, thotë Muhamet Gashi.

Ndryshe nga komuna e Prishtinës, ajo e Mitrovicës vazhdon të organizoje manifestimet tradicionale, të cilat i mban tash e tri vjet radhazi.

©albinfo.ch: Ahmet Gashi

Ahmet Jashari, zëdhënës i komunë së Mitrovicës, tregon për albinfo.ch se përveç organizimeve kulturore së bashku me Ministrinë e Diasporës, komuna do t’i mbajë edhe aktivitetet tradicionale.

“Kemi nisur me javën e kulturës dhe në vazhdimësi jemi duke mbajtur aktivitetet tona të organizuara në nivel komunal”, thotë Jashari.

Sipas tij, Ministria e Diasporës sapo është themeluar dhe ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga ajo se çfarë do të bëhet, ndërkohë që Drejtoria për Kulturë e komunës së Mitrovicës, vazhdon me agjendën e vet.

“Tash për tash e dimë se me 28 korrik në Mitrovicë do të mbahet një aktivitet më i madh kulturor ku do të ketë muzikë rok, pastaj filma të ndryshëm e aktivitete të tjera”, thotë ai.

Policia shtrëngon radhët

Si një ndër manifestimet tradicionale që komuna e Mitrovicës organizon së bashku me atë të Vushtrrisë, zyrtari komunal përmend atë të Shalës së Bajgores.

“Në natyrën e mrekullueshme të Shalës së Bajgores, si çdo vite dhe kësaj here me 30 korrik mbahet manifestimi tradicional ku do të ketë këngë e valle popullore e folklorike jo vetëm nga Mitrovica, por nga të gjitha komunat  vendit”, tregon zëdhënësi Ahmet Jashari.

Derisa zyrtarët janë duke mbajtur dhe planifikuar aktivitetet e ndryshme për nder të mërgimtarëve, edhe Policia e Kosovës ka hartuar planin e vet të veçantë për këto ditë të verës.

© albinfo.ch: Brahim Sadriu

Brahim Sadriu, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës tregon se forcat e rendit kanë hartuar planin e vet operativ i cili përveç aktiviteteve të rregullta, parashikon edhe  shtimin e pjesëtarëve të vet në rrugët e vendit.

“Do të ketë më shumë patrullime në trafik, në rrugë, në sheshe dhe të gjitha do ta jenë në funksion që situata e sigurisë të jetë sa më e mirë”, thotë Sadriu për agjencinë albinfo.ch.

Ai tregon se deri me tash, është vërejtur një shtim i automjeteve nga jashtë që qarkullojnë në rrugët e Kosovës, por në ditët dhe javët në vazhdim presin numër edhe më të madh të tyre.

Për nder të mërgimtarëve, në kohën kur Kryeministër ishte Agim Ceku, për dy vjet radhazi, nën patronatin e tij ishin organizuar manifestime në Prekaz, por kjo traditë nuk u vazhdua nga pasardhësit e tij në këtë post.