Lajme

Ministri Beqaj kërkon nga ndërmarrjet publike të respektojnë masat e reciprocitetit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka kërkuar nga të gjitha ndërmarrjet publike që të zbatojnë me përpikëri vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Edhe pse u ka dërguar letër me shkrim drejtorëve të këtyre ndërmarrjeve dhe kryetarëve të bordeve, ministri Beqaj i ka ftuar për një bisedë me ta, duke kërkuar prej tyre që kjo situatë të mos keqpërdoret.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është koncentruar në mënyrë maksimale që kjo situatë të mos keqpërdoret, ndërkohë që ka sqaruar për opinionin që nuk ka asnjë kompani nga Serbia e cila bën furnizimin me energji elektrike.

Drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, ka thënë se pas vendosjes së reciprocitetit, Hekurudhat e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm duke informuar kontraktorët eventual të cilët kanë pasur kontrata të furnizimit me pjesë rezervë nga Serbia.

Ramosaj ka deklaruar se edhe një tender që ka qenë është anuluar dhe do të kërkohet nga ofertuesit që të përmbushin kushtet në bazë të vendimit të qeverisë.