Lajme

Ministri Agani flet për “zhvillime pozitive” në Qeverinë e Kosovës

Agani nga festa e Ditës së Çlirimit, në organizim të PD-së për Zvicër, u bën apel mjekëve shqiptarë të ndihmojnë shëndetësinë e Kosovës

Gjatë vikendit që kaloi qëndroi në një vizitë në Zvicër ministri i shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Dr. Ferid Agani. Me këtë rast albinfo.ch zhvilloi një bisedë me ministrin lidhur me çështjet aktuale në ndërlidhje me shëndetësinë kosovare dhe mërgatën. Ai pranon se vizita e tij në Zvicër nuk ka pasur klarakter formal por pohon se ka shfrytëzuar atë për të zhvilluar takime të dobishme me “miq nga Zvicra” lidhur me avancimin e shëndetësisë kosovare.

I pyetur nga albinfo.ch për arsyen e qëndrimit të tij në Zvicër dhe për agjendën e saj, ministri Agani ka thënë se bëhet fjalë për një vizitë joformale, por që është shndërruar në një traditë të takimeve të tij me mërgatën tonë, pikërisht në ditët kur shënohet përvjetori i çlirimit të Kosovës. “Viteve të fundit praktikoj të vi me këtë datë në mesin e mërgatës sonë në Zvicër për të festuar së bashku Ditën Çlirimit të Kosovës, që është njëherësh edhe dita e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ngjarje këto madhore në historinë tonë kombëtare.

“Ndjehem mirë në mesin e mërgimtarëve”, thotë ministri. Ai po ashtu me këtë rast dëshiron të përcjellë edhe përshëndetjet e Qeverisë së Kosovës dhe nuk lëshon rastin për të përkujtuar lidhur me “zhvillimet pozitive në skenën institucionale të Kosovës, zhvillime të reja pozitive brenda qeverisë së Kosovës”.

Si zhvillime të tilla ministri cilëson para së gjithash “themelimin e Ministrisë së Mërgatës pranë kësaj qeverie, fillimin e organizimit më të mirë të shërbimit diplomatik, dhënies së pasaportave dhe letërnjoftimeve në përfaqësitë tona në vendet e BE-së dhe në Zvicër. Pastaj vijnë në radhë zhvillimet pozitive në sektorin e shëndetësisë që e udhëheq unë, ndryshime që po duam t`i realizojmë përkundër faktit se po ballafaqohemi me probleme të mëdha në këtë drejtim”, ka pranuar ministri.

Pyetjes sonë nëse në agjendën e tij ka paraparë edhe takime me institucione zvicerane nga fusha që e mbulon ai, ministri thotë se koha e shkurtë e qëndrimit në Zvicër ia pamundëson një agjendë të tillë, në veçanti për faktin se këtu edhe dita e hënë (13 qershori) është ditë feste kur pushojnë institucionet.

Por megjithatë, ka sqaruar ministri “gjatë kësaj vizite do të kem edhe disa kontakte, kësaj here joformale, me miq tanë nga Zvicra të cilët kanë shprehur interesimin për projekte të ndryshme. Me ta do të bisedojmë për aspekte të ndryshme të sistemit shëndetësor të Kosovës dhe lidhur me mundësitë për përparimin e shërbimit të shëndetit mendor në Kosovë dhe për themelimin e sistemit të sigurimit shëndetësor”.

Ai gjatë bisedës me albinfo.ch ka shfrytëzuar nga rasti që tu drejtohet studentëve dhe ekspertëve të mjekësisë nga Kosova që studiojnë e punojnë në Zvicër që të ndihmojnë avancimin e sistemit shëndetësor të Kosovës. “Shëndetësia kosovare ka shumë nevojë për individë që janë shkolluar dhe kanë bërë avancim shëndetësor, në Zvicër e gjetiu, në fusha të ndryshme të shëndetësisë. Ata kanë një status, një rrjet të gjerë social në Zvicër dhe BE. Vënia e këtyre rrjeteve në funksion të shëndetësisë kosovare do të sillte një dobi të madhe për ne”, ka thënë Agani.

Ndërsa ai po ashtu ka shpalosur prioritetet e tij si ministër i ri i këtij resori. “Ndër prioritetet e mia do të jetë mobilizimi i potencialev që i kemi jashtë, për zhvillimin e sistemit shëndetësor të vendit. Ne duam të ngjallim interesimin e mjekëve që janë pjesë e sistemit shëndetësor të Zvicrës ose vendeve tjera perëndimore. Unë do të mundohem që atyre t`ua krijoj hapësirën e nevojshme që të realizojnë veten në profesionin e tyre dhe njëherësh të ndihmojnë shëndetësinë e vendit të tyre, Kosovës”.

Ministri Agani ka përmendur me këtë rast edhe ndihmesën që shëndetësia kosovare, apo më saktë, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ka marrë nga Universiteti i Bazelit. “Bashkëpunimi i Klinikës së Psikiatrisë të fakultetit tonë me simotrën nga Universiteti i Bazelit ka rezultuar me një projekt të dobishëm shumëvjeçar që sot po kurorëzohet me ndërtimin e objektit të ri të Institutit të Psikiatrisë Gjyqësore në Prishtinë”, ka shtuar Agani.

I pyetur lidhur me rolin e ministrisë që drejton ai në sjelljen për shërim të të sëmurëve (fëmijëve) kosovarë në Zvicër, kryesisht përmes Shoqatës “Nënë Tereza” të Munihut, ministri pohoi që ministria ka një pjesë të konsiderueshme të kontributit edhe këtu.

“Kemi bashkëpunim të ngushtë me shumë shoqata, si me Nënë Terezën, shoqatat nga Italia, pastaj Caritas etj, të cilat ofrojnë lehtësime në ofrimin e shërbimeve shëndetësore jashtë vendit. Ministria ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me disa nga këto shoqata. Në disa prej tyre marrin pjesë edhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve për trajtimin e pacientëve zakonisht, pjesën më të madhe e marrin këto organizata”, përfundoi Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.