Lajme

Mesiç: Oreksi për Serbinë e madhe, solli luftërat në Ballkan

Ideja e Millosheviçit, sipas ish presidentit kroat Stjepan Mesiç, ishte që t’i merrte rreth 250 mijë serbë nga Serbia dhe t’i vendoste në Kosovë si kolonë

Kryetari i fundit i ish Jugosllavisë dhe ish-presidenti kroat në dy mandate, Stjepan Mesiç thotë se luftërat në Ballkan që rezultuan me qindra mijëra të vdekur, i solli “oreksi” i Sllobodan Millosheviqit dhe politikës serbe për krijimin e Serbisë së madh. Kjo ide, sipas tij, nuk u realizua dhe kufijtë nuk lëvizën asnjë milimetër.

Këto deklarata Mesiç i ka përfshirë në librin e tij botuar edhe në shqip dhe promovuar  në Tiranë, me titull “Si është shkatërruar Jugosllavia”.

Në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës, Mesiç mblodhi rreth vetes figura politike të dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë Ish-presidentët Alfred Moisiu, Fatmir Sejdiu, Bamir Topi dhe personalitete të tjera politike e publicistike nga këto dy vende.

Një pjesë të veçantë të librit Mesiç ia kushton shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar planin e Sllobodan Millosheviçit për largimin nga trojet e tyre dhe zëvendësimin me kolonë serbë.

“Millosheviçi donte vetëm Serbinë e madhe dhe etnike. Ai donte të bashkonte Kroacinë me Bosnjën së bashku me Malin e Zi. Ndërsa për sa i përket shqiptarëve të Kosovës dëshironte t’i largonte nga trojet e tyre dhe t’i popullonte me qytetarë serbë. Por, që të merreshe vesh me Millosheviçin ishte e pamundur, ndaj alternativa e vetme ishte që ta ndaheshim dhe të shihnim për vetëvendosje”, thotë Mesiç.

Millosheviçi nga ana e tij mashtronte Perëndimin duke u shprehur se do më të mirë për të gjitha shtetet e Jugosllavisë. Serbëve u thoshte se do të jetoni më së miri në një shtet, por kjo ishte një gënjeshtër pasi ata jetonin në Serbi, në Kroaci, në Bosnjë dhe në shtete të tjera, ndaj për këtë qëllim ai u thoshte rrëmbeni armët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë të gjithë të bashkuar.

Por në këtë pikë pati një shpërbërje të ushtrisë pas daljes prej saj të kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve dhe shqiptarëve.

Ideja e Millosheviçit, sipas Mesiç, ishte që t’i largonte rreth 250 mijë serbë nga shtëpitë e tyre dhe t’i vendoste në Kosovë.

“Për këtë qëllim ai e ndaloi autonominë e Kosovës, të gjithë shqiptarët që ishin në funksion të autonomisë i hoqi. Plani i tij ishte që gjithë shqiptarët e Kosovës që do të zboheshin nga trojet e tyre, një pjesë do të vendoseshin në Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër do të shpërnguleshin në Shqipëri”, shprehet ish- presidenti kroat.

Sipas Millosheviçit me dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, do të krijohej një situatë destabiliteti edhe në vendet ku ata do të “emigronin” si në Maqedoni apo Shqipëri. Por, në fund gjithçka përfundoi në një dështim, me nisjen edhe të një lufte të armatosur.

“Sipas tij, këta 2 milionë shqiptarë që do të largoheshin nga Kosova do të krijonin një situatë destabilizimi si në Maqedoni edhe në Shqipëri. Millosheviçi mendonte si ishte personi i duhur për rajonin dhe Perëndimi do ta lejonte që të ushtronte “funksionin” e tij për të krijuar një situatë “paqeje” si në Shqipëri edhe në Maqedoni. Mirëpo plani i Millosheviçit dështoi. Kosovarët u bashkuan, formuan UÇK-në dhe kundërshtuan me luftë regjimin e tij”, thotë Mesiç.

Siç thuhet në librin e tij, serbët nuk dëshironin që të shpërnguleshin në Kosovë, ndërkaq  shqiptarët nga ana tjetër nuk dëshironin të largoheshin nga trojet e tyre dhe plani i Millosheviçit për të krijuar Serbinë e madhe, siç thotë ai, nuk u realizua.

“Si përfundim gjatë luftës mbetën të vdekur qindra mijëra banorë, të plagosur akoma më shumë, por kufijtë nuk lëvizën asnjë milimetër”, shprehet Mesiç, i cili beson se “oreksi serb për të zgjeruar territoret solli si pasojë luftën”.

“Shtrohet pyeta përse u desh kjo luftë? Serbia kishte interesat e veta për të hapur kufijtë. “Kur erdhi në pushtet Qemal Ataturku gjeneralët i kërkuan që të zgjeronte perandorinë më gjerë në Azi, por ai u përgjigj të dashur qytetarë ju fatin tuaj duhet ta kërkoni brenda kufijve dhe jo jashtë saj. Këtë gjë askush nuk ua tha në Serbi. Fatkeqësisht edhe sot në Serbi ka njerëz që mendojnë se Serbia mundet dhe duhet t’i zgjerojë kufijtë e saj”, theksoi Mesiç.

Në një prezantim të shkurtër të rrjedhës kronologjike të ngjarjeve, ish presidenti kroat, risolli në vëmendje mënyrën sesi ishin organizuar ish-republikat Jugosllave në kohën e Titos dhe politikat diktatoriale të Sllobodan Millosheviçit për të krijuar Serbinë e Madhe.

“Unë me anën e këtij libri dua të kujtoj se çfarë ka ndodhur në ish-Jugosllavinë e kohës. Jugosllavia nuk ka qenë aq e izoluar sa Shqipëria. Ajo përbëhej nga 6 republika dhe 2 krahina autonome. Ajo mbahej nga tri elemente që përbënin shtetin, Tito me karizmën e vet, Partia Komuniste si parti e vetme dhe ushtria. Kjo e fundit dëgjonte vetëm Titon dhe partinë. Tito vdiq, partia u shkatërrua. Në krye të Serbisë erdhi Sllobodan Millosheviçi, i cili nuk donte as federatë, as konfederatë, vetëm Serbinë e madhe”, tha ish- presidenti kroat Mesiç.

Në bashkëbisedim e sipër mes kujtimit të situatave të tensionuara të kohës dhe batutave rreth realitetit, Mesiç shprehet se ka “risjellë” në jetë një pjesë të shënimeve nga ditari personal, nga koha kur ka qenë, aq sa i është dhënë mundësia të ishte, president i kolektivit të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare.

Ai erdhi në kryesi të Presidencës Jugosllave pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1990 në Republikën e Kroacisë. Në këtë kohë, kryesia e Jugosllavisë akoma funksiononte si organ kolektiv, ku 8 anëtarët e saj delegoheshin nga Kuvendet e njësive federale. Në këtë ditar gjithçka flet për periudhën 15 maj 1990 – 15 maj 1992, kur republikës së Kroacisë i takonte posti i zëvendëskryetarit dhe më pas edhe kryetarit të shtetit.