Lajme
Mesazhet e Diasporës për Qeverinë e Kosovës
Në Prishtinë u bë përurimi i projektit "Diaspora për Zhvillim". Projekti është financuar nga Drejtoria për ndihmë dhe bashkëpunim e Zvicrës
Vërejtje të forta morën zyrtarët e institucioneve të Kosovës, nga diaspora kosovare në Zvicër. Ata thanë troç se ka ardhur koha e veprimit nga ana e shtetit, e jo vetëm të thuhen fjalë boshe.
Madje në disa raste, ata besojnë se më shumë ka bërë shteti i Zvicrës për ta, sesa që ka bërë vetë Kosova, e cila brenda vitit përfiton mbi gjysmë miliardi euro nga remitancat e tyre.
Të mbledhur në Prishtinë në përurimin e projektit “Diaspora per Zhvillim” (Diaspora for Development) i cili për pesë vitet në vazhdim do të financohet nga DEZA (Drejtoria për Ndihmë dhe Bashkëpunim e Zvicrës) me bartës të projektit OJQ-në ”Institute for Management and Development” me seli në Prishtinë, secili prej tyre dha vërejtjet, sugjerimet dhe këshillat që ndërlidhen me diasporën e madhe kosovare.
Në fakt, ata nuk kërkuan asgjë më shumë sesa më tepër vëmendje për ta, respekt, lehtësira të cilat do të ishin shumë të thjeshta për biznes apo për të rregulluar ndonjë dokument, dhe për më tepër, që të trajtohen si bashkëatdhetarë që mund të investojnë, e jo vetëm si njerëz të cilëve u duhet shikuar xhepat.
Më i zëshmi doli të jetë Orhan Spahiu, kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, i cili pasi paraqiti objektivat e organizatës që drejton, e që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të mërgimtarëve, tha se diaspora gjithmonë ka dhënë kontributin për Kosovën, kurse kjo e fundit nuk po shihet e po bënë diçka për ta.
“Përveç fjalëve, atdheu ynë nuk ka bërë asgjë për ne. Ky injorim dhe mos interesim i institucioneve për ne, shihet edhe në rastin e pensioneve apo kartonit të gjelbër”, tha Spahiu, duke shtuar se kështu si janë punët, përshtypja është se edhe pesë vjet, diaspora Kosovën do ta shikojë vetëm errët.
Edhe më direkte ishte Ylfete Fanaj, deputete e Kantonit të Lucernit në Zvicër e cila theksoi se roli i diasporës në ndihmën dhe ndryshimin e Kosovës, ka qenë shumë i madh.
“Të rinjtë e të rejat mund të sjellin investim personal në Kosovë, duke nisur që me ruajtjen e ambientit. Diaspora di shumë për Kosovën se çfarë nuk funksionon, por di pak se çfarë funksionon”, tha Fanaj, duke dhënë edhe shembuj konkret se si mund të ndihmohet.
“Secila komunë mund të organizojë një info-desk që do t’u ndihmonte mërgimtarëve me informacione të ndryshme, apo ndonjë guidë se çka mund të shihej e investohej në Kosovë”, u shpreh ajo, duke saktësuar se remitancat krijojnë varshmëri të madhe.
“Më mirë është që ato para të investohen në mënyrë që të gjenerohen të ardhura. Në këtë drejtim mungon edhe strategjia e Qeverisë”, tha ajo, duke kritikuar mediat publike për të sepse misioni i tyre nuk është që diasporës t’i paraqesë vetëm këngë popullore.
E të gjitha këto u thanë në sy të Ibrahim Makollit, Ministrit të Diasporës, Ambasadores së Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty, Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe disa kryetarëve të komunave të vendit.
Fillimi i funksionimit të këtij projekti, u vlerësua në mënyrë pozitive, duke përmendur se synimet e tij kanë për qëllim krijimin e urave të komunikimit ndërmjet diasporës dhe Kosovës, forcimin e marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve në Kosovë, shoqërisë civile e sektorit të biznesit me Diasporën dhe anasjelltas.
Ky projekt synon të krijojë zyrat e Diasporës në nivel komunal me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për diasporën, pastaj krijimin e mekanizmave për transferimin e njohurive dhe eksperiencës nga diaspora tek vendorët.
Krystyna Marty, Ambasadores e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, tha se komuniteti shqiptar në Zvicër është në numër shumë të madh dhe sipas saj, është me rëndësi ruajtja e gjuhës dhe kulturës.
“Gjithë ajo sasi e madhe remitencash që dërgohet në Kosovë, është mirë të drejtohen në mënyrë më të mirë, prandaj një projekt i tillë ndihmon diasporën”, tha Ambasadorja zvicerane, e cila si shembull pozitiv, përmendi dhe platformën Albinfo.ch.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në fjalën e tij tha se është duke u përpjekur të hapë qendra kulturore në shtetet ku është i koncentruar numri më i madh i mërgimtarëve, duke përmendur Turqinë dhe Zvicrën.
“Por jemi në kontakt edhe me 12 shtete të tjera që ta bëjmë këtë në mënyrë që të ruhet gjuha e kultura shqipe”, tha Makolli.
Ndërkohë, duke folur për lehtësirat e të bërit biznes në Kosovë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pasi lavdëroi diasporën për kontributin e dhënë, tha se zhvillimi i një shteti është ngushtë i lidhur me diasporën e vet.
“Kur diaspora i është kthyer shtetit të vet, ai shtet është zhvilluar. Më parë duhet të bindim tanët të investojmë në Kosovë, pastaj të tjerët”, u shpreh ajo, duke treguar për reformat për lehtësim procedurash që dikasteri i saj është duke i bërë për investitorët e jashtëm.
Si shembull i mirë për trajtimin e diasporës, në këtë rast u mor komuna e Suharekës, e cila ka krijuar Zyrën për Diasporë, e cila luan rol të shumëfishtë.
Kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi, pasi tregoi se nga 89 mijë banorë të kësaj komune, 29 mijë jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës, shpjegoi se gjatë verës, ata angazhojnë edhe dhjetë persona, që kanë detyrë vetëm t’u shërbejnë mërgimtarëve.
“Kjo Zyrë, gjatë verës luan rolin dhe të organizimit të aktiviteteve kulturore dhe shumë punëve të tjera që kanë të bëjnë më mërgimtarët”, tha Kuçi.
Edhe më përkrahës ndaj diasporës, u shpreh Safet Gërxhaliu, drejtor i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK) i cili tha se edhe vetë i takon asaj pjesë të mërgimtarëve të kthyer në atdhe.
Duke falënderuar Zvicrën për mbështetje të madhe për Kosovën, Gërxhaliu tha se është e vërtetë se kur flitet për diasporën, matet gjithmonë xhepi i tyre.
“Por 15 % e parave të tyre shkon për konsum. Vetëm më vitin 2010, Kosova ka blerë mall nga jashtë në vlerë prej 2.2 miliardë euro. Nuk na duhet më patriotizëm folklorik për diasporën por mbështetje konkrete”, tha Gërxhaliu, i cili përsëriti se imazhi i vendit është më keq nga jashtë sesa që realisht është në të vërtetë.
“Ndoshta diaspora ka pritur më shumë seç duhet nga Kosova, por më gëzon fakti se Ministria e Diasporës ka filluar të lëvizë. Albionfo.ch mundohet të ndryshojë përshtypjen e diasporës për Kosovën”, tha Iseni, i cili në fund paraqiti edhe një film të shkurtër dokumentar të punës së kësaj platforme.
Një nga shembujt e mirë në këtë rast, përveç disa raste kur investitorë nga diaspora bëjnë biznes në Kosovë, ishte platforma informative Albinfo.ch. Drejtuesi i saj, Bashkim Iseni tha se deri më tash ka ekzistuar një ndjenjë mosmirënjohje ndaj mërgatës.
Projekti Diaspora për Zhvillim Drejtuesi i projektit “Diaspora për Zhvillim“, Elbasan Morina, tha se projekti ka filluar më 1 janar 2012. Sipas tij, me gjithë kohën e shkurtër, janë arritur rezultate konkrete si përzgjedhja dhe bashkëpunimi me tri komunat pilot, pastaj janë elaboruar projekte konkrete dhe disa janë në proces të realizimit si: shkolla verore për fëmijët e diasporës, kampi i futbollit për të rinjtë e talentuar me yjet e futbollit në diasporë etj. Ai tha se është bërë vendosja e kontakteve me Diasporën ne Zvicër dhe Gjermani, identifikimi i partnereve në Zvicër dhe Gjermani gjithashtu dhe në Kosovë. Morina tha se në proces është edhe ngritja e platformës elektronike të Diasporës per Zhvillim, e cila do të shërbejë si platformë informuese për Diasporën dhe Kosovën. Ai tregoi se platforma do të lidhet me Zyrat Komunale të Diasporës që po themelohen, pastaj edhe me Albinfo.ch dhe mediumet e ndryshme për shkëmbimin sa më adekuat të informacionit. Morina tha se gjatë kësaj kohe është bërë edhe hulumtimi i praktikave më të mira në rajon, që të shërbejnë si shembuj model për projektin “Diaspora për Zhvillim” në fazën kryesore. Synimet e projektit për të ardhmen, sipas Elbasan Morinës janë që të krijohen ura komunikimi ndërmjet diasporës dhe Kosovës, të forcojë marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve në Kosovë, shoqërisë civile, sektorit të biznesit etj me Diasporën dhe anasjelltas, dhe të krijohen zyrat e Diasporës në nivel komunal me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për diasporën. Organizata Solidar Suisse me seli në Cyrih ka një mandat këshillëdhënës për këtë projekt, të cilin e ushtrojnë Barbara Burri dhe Christoph Baumann.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










