Lajme
Mërgimtarët nderohen në spektaklin e futbollit “Rogana 2014”
Në turneun me pjesëmarrje të madhe të mërgimtarëve, që përfundoi më 29 korrik, fituese u shpall skuadra nga Prishtina „Menar Jora Center"
Vetura të shumta dhe të shtrenjta, që drejtoheshin nga bashkatdhetarë-mërgimtarë, kishin stërngarkuar komunikacionin në fshatin Roganë të Komunës së Dardanës. Të gjithë kishin synuar fushën sportive të shkollës së fshatit ku do të mbahej takimi final i turneut trejavor, të organizuar për nder të „2 Korrikut” dhe në shenjë mikpritjeje për mërgimtarët e Komunës së Dardanës.
Takimit final i parapriu një program i shkurtër kulturor-artistik nga SHKA “Albana” nga Dardana i pasuar me një lojë të disa veteranëve të futbollit të kësaj ane. Ndonëse me kondicion të dobësuar, ish-futbollistët e klubeve të komunës së Dardanës shfaqën një lojë atraktive, duke përkujtuar më shumë kohën e tyre të viteve të 1970/80-ta. Shumë syresh, që punonin në mërgim, kishin akorduar edhe pushimin për të marrë pjesë në këtë turne e, sidomos, në takimin final. Jetullah Kallaba, i cili vetëm disa orë më parë kishta ardhur nga Çikago e SHBA-së, ende pa u takuar me të afërmit e tij, e i cili dikur luante për klubin roganas „Bujku”, kishte ngarendur për të qenë pjesë e lojës së veteranëve. Ndër më të vjetrit ishte 62- vjeçari, Xhafer Krasniqi nga Dajkoci.
Sikur edhe fillimin e turneut “Rogana 2014”, edhe takimin final e përshëndeti drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Venera Dërmaku –Rexha. Ajo falënderoi pjesëmarrjen e tyre dhe përgëzoi organizatorët e këtij turneu, të cilët, tash e 14 vjet begatojnë Roganën dhe gjithë Komunën e Dardanës me organizimin e këtij turneu tradicional në futboll të vogël. Dërmaku – Rexha u zotua se Drejtorati që ajo e udhëheq do të vazhdojë mbështetjen e sportit në përgjithësi e sidomos këtë turne tradicional, duke reflektuar rolin e vlerave të sportistëve roganas në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar.
Organizatori kishte përgatitur një spektakël të vërtetë që duhet ndjekur nga çdo komunë e Kosovës. Nga tribuna pesëshkallëshe e veriut, referët, Arben Fera dhe Tefik Rrudhani, imituan kampionët e „Botërorit” të sapopërfunduar, duke hyrë në fushë (bashkë me lojtarët) nën përcjelljen e duartrokitjeve frenetike të rreth 3500 shikuesve.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe atij shtetëror, në një temperaturë të lartë verore, filloi ndeshja finale ndërmjet skuadrave “Petriti” nga fshati Petrit i Komunës së Kamenicës dhe “Menar Jora Center” nga Prishtina.
Loja tejet sportive dhe fer e të dy skuadrave përfitoi zemrat e shikuesve të shumtë, të cilët i duartrokisnin çdo aksioni të suksesshëm. Sidomos aksionet e mysafirëve nga Prishtina duartrokiteshin sikur të ishin nga Rogana, që flet për një kulturë të lartë sportive të shikuesve. Me këtë gjest sportiv u mahnit edhe kryetari i Komunës së Dardanës, Begzad Sinani, i cili, në një deklaratë për Albinfo.ch, disa herë përsëriti fjalinë: “kjo është më shumë se një lojë futbolli, – ky është një spektakël që është organizuar këtu në Roganë”. Zoti Sinani më tutje tha: “Është privilegj të jeshë i pranishëm në këtë manifestim sportiv, të cilin unë do ta quaj spektakël, ku kemi rastin të shohim shumë bashkatdhetarë tanë e sidomos rininë e fshatit Roganë, që me përkushtim dhe dinjitetshëm janë sjellë me ne dhe na kanë sjellë një spektakël të mrekullueshëm, dhe këtë mund ta bëjë vetëm rinia e Roganës. Prandaj, duke e parë entuziazmin e tyre edhe unë nuk jam hamendur për ta përmbushur kërkesën e tyre për mbështetje financiare të organizimit të turneut “Rogana 2014″ e që, natyrisht, kështu do të veproj edhe në të ardhmen”.
Dy herë nga 15 minuta lojë nuk mjaftuan për të nxjerrë fituesin, kështu që u luajt edhe dy herë nga 5 minuta. As edhe loja shtesë nuk dha fituesin, i cili u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penaltive. Kështu fitues i këtij turneu tradicional të futbollit, “Rogana 2014”, u shpall skuadra fituese “Menar Jora Center” nga Prishtina. Fituesi u shpërblye me një shumë të hollash si dhe me një kupë, të cilën ua dorëzoi kryetari i Komunës së Dardanës/Kamenicës, Begzad Sinani.
Prishtinasit morën edhe shpërblimin e lojtarit më të mirë të turneut, i cili i takoi Agon Ramadanit.
Xhevdet Kallaba
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç Austria do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 14 vjeç, sipas një marrëveshjeje... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja












