E-Diaspora

Mërgata i jep lamtumirën e fundit Vaçe Zelës

Trupi i pajetë i artistes sot transportohet nga Aeroporti i Cyrihut për në Aeroportin e Prishtinës. Atje do t`i bëhen homazhe nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe eskorta do të vazhdojë rrugën për në Tiranë, ku bëhet ceremonia e varrimit

Magjinë e zërit të saj kishte një gjysmë shekulli që ia kishte dhuruar shqiptarëve kudo që janë. Por në njëzet vitet e fundit artistja e madhe Vaçe Zela, kishte qëndruar në Zvicër. Në një banesë modeste në Bazel, së bashku me shokun e jetës, Pjetër Rodiqin dhe të bijën, Irmën, ajo kishte disa vite që po jetonte me një sëmundje të rëndë që ia kufizonte së tepërmi lëvizjen dhe komunikimin.

Megjithatë, edhe në këto rrethana, ajo dhe më të dashurit e saj gjenin rastin për të qenë bashkë në kremtimet që bënte komuniteti shqiptar i Zvicrës, kryesisht për Ditën e Flamurit dhe në aktivitete tjera. Me gjithë kufizimet fizike që kishte, vetë prania e Vaçe Zelës, shpirtit të madh artistik të saj kudo rrezatonte art, pozitivitet, butësi. Nuk ishte për tu habitur prandaj se brohoritjet më të mëdha, duartrokitjet më të fuqishme i merrte shpesh ajo, më shumë se këngëtarët që këndonin në ato raste. I bëhej kështu nderim artit të rrallë dhe unikal me të cilin ajo kishte ushqyer shqiptarët për pesëdhjetë vite.

Një personalitet që nuk linte indiferent askënd për të gjallë të saj, edhe me ikjen nga kjo botë Vaçja nuk la pa tronditur gjithë shqiptarët. E në mënyrë më të veçantë ata që i ishin gjetur pranë, gjithë këto vite në Zvicër.

Nazmi Jakurti me familjen e tij ka qenë ndër këta njerëz me fat.

“Mbretëreshën e këngës shqipe, Vaçe Zelën, e njihja si artiste që nga fëmijëria. Ndërkaq, në fund të viteve të 90-ta pata fatin ta takoj në Zvicër dhe të bëhemi miq të ngushtë me të dhe familjen e sajë në Bazel (të shoqin Pjetrin dhe të bijën, Irmën). Me Vaçen kemi ndarë shumë çaste të bukura në këto 15 vite. Pothuajse çdo festë kombëtare e familjare e kemi kremtuar së bashku. Edhe jashtë skenës ishte personalitet i rrallë, i papërsëritshëm”, thotë për albinfo.ch Nazmi Jakurti, familja e të cilit për një kohë të gjatë ka qenë edhe vatër e ngrohtë për familjen e Vaçes.

Ai bashkë me Ali e Skënder Nikoliqin, si miqtë më të ngushtë të familjes Zela-Rodiqi, në Zvicër, shkojnë me familjarët e tyre në Prishtinë dhe në Tiranë, për të përcjellë Vaçe Zelën në udhëtimin e saj të fundit.

Jakurti shton me këtë rast se trupi i pajetë i artistes së madhe sot transportohet nga Aeroporti i Cyrihut për në Aeroportin e Prishtinës. “Atje do t`i bëhen homazhe nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe qytetarë. Pastaj me vetura dhe eskortë nisemi për në Tiranë, ku, nën përkujdesjen e Kryeministrit, është formuar një këshill organizativ që Vaçe Zelës, i ka organizuar një ceremoni të nivelit të lartë e nderime shtetërore”

Për fund, Jakurti, pa mundur të shmangë emocionet, shprehet për albinfo.ch: “Sot po e bëjmë udhëtimin e fundit bashkë! Ajo jetoi dhe po ikën bukur, sikur ta kishte shkruar vetë skenarin e shkuarjes: Tri dekada i fali shpirt Shqipërisë, 20 vjet i ndau me mërgimtarët dhe sot po e përqafon Kosovën e lirë, për t’iu kthyer përjetësisht Shqipërisë që i këndove aq bukur. Lamtumirë mbretëreshë e këngës!”

Mbrëmjen e të enjtes, nderimet e fundit në banesën e saj në Bazel primadonës së muzikës shqiptare ia kanë bërë edhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj dhe i ngarkuari me punë i Shqipërisë, Kastriot Noli.

Trupi i pajetë i artistes në banesën e saj ku ajo ka ndëruar jetë, ka qëndruar gjatë gjithë kohës i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar.

Një mike tjetër e Vaçe Zelës, edhe vetë artiste me qëndrim në Zvicër, profesoresha e pianos Edlira Dedja ka qenë e para që ka kumtuar lajmin e hidhur për shuarjen e divës së muzikës shqiptare. Në rrjetin e facebookut, ajo në orët e hershme të të enjtes shkruan: Thellësisht të pikëlluar, por njëkohësisht duke ruajtur kujtimet më të mira, ju bëjmë me dije që sot në orën 01:50, ne Bazel të Zvicrës, mbas një lufte të gjatë e të mundimshme me sëmundjen tinëzare, u nda nga kjo jetë.  Vaçe Zela 07.04.1939 – 05.02.2014.

Ndërsa në një letër të publikuar me këtë rast kushtuar këngëtares së ndjerë, Edlira shkruan “Kënga jote ishte e magjishme, e dashur Vaçe – gjithshka që pritej, ndodhej aty: bukuria, gjallëria, feminiteti, shkëlqimi i menjëhershëm, tingujt brilantë të zërit tënd të pashoq, shqetësimi, kurajoja, emocionet e rralla, frymëmarrja e jetës dhe frymëzimi rinor. Por ti na ofrove nga ana tjetër edhe një ndjenjë të pashpjegueshme që buronte nga qëndrimi yt, nga gjestet e tua, nga timbri yt i rrallë e nga fraza jote, nga mënyra se si i shqiptoje fjalët, nga të gjitha këto cilësi që të bënë të ishe Vaçja, por që nga ana tjetër të mundësuan t’u jepje një karakter unik dhe thellësisht njerëzor e mbresëlënës të gjitha këngëve që u kënduan e u interpretuan prej teje.”

Prej sot, trupi i Vaçe Zelës do të prehet në tokën të cilës i kishte kënduar me aq dashuri e përkushtim. Ndërsa fryma e saj përmes zërit unik do të përcillet e ngrohtë edhe te brezat që vijnë.

B.SH.