Kosova

Memli Krasniqi: Zgjedhjet e reja janë rruga e vetme përpara

Pas takimit me Osmanin, Krasniqi kërkon zgjedhje të reja sa më shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se në këtë fazë të zhvillimeve politike në vend, zgjidhja e vetme mbetet shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare, përcjell albinfo.ch.

Pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Krasniqi tha se nga diskutimet u bë e qartë se asnjë parti politike nuk ka mundësi të krijojë një shumicë të re parlamentare në legjislaturën aktuale.

“Diskutuam rreth mundësisë, ose jo, të një mandatari të ardhshëm, dhe ajo që është më e rëndësishme nga ky takim është se u bë e qartë që askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare bazuar në këtë legjislaturë,” u shpreh Krasniqi.

Ai shtoi se, për shkak të kësaj situate, vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve,” deklaroi ai, duke theksuar se në takimin me presidenten Osmani ka kërkuar që këto zgjedhje të organizohen në një afat sa më të shkurtër.

Sipas Krasniqit, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është tashmë i pashmangshëm, pasi skenari i krijimit të një shumice të re parlamentare është bërë i pamundur.