Lajme

Mediat austriake: Valon Berisha e pa nga afër aksidentin ku mbeti i vdekur kushëriri i tij

Mediumi austriak “Krone” ka raportuar sot për aksidentin fatal të cilin nga afër e pa futbollisti nga Kosova, Valon Berisha.

Raportohet se një furgon që po drejtohej nga një 38-vjeçar me shtetësi të Zvicrës, doli nga rruga pranë Laakirchen në Austri dhe mori lëndime vdekjeprurëse, teksa aksidenti ndodhi në 8:10 të mëngjesit, pasi furgoni u përplas me një barrierë druri.

Valon Berisha ishte në një veturë tjetër para furgonit dhe e pa aksidentin në pasqyrë, shkruan Krone, transmeton albinfo.ch.

“Ai u ndal menjëherë dhe vrapoi drejt vendngjarjes, duke dhënë ndihmën e parë së bashku me dëshmitarë të tjerë dhe duke thirrur shërbimet e urgjencës. Pas afërsisht 30 minutash përpjekje për ringjallje, ngasësi i furgonit u shpall i vdekur”, thuhet në raportim.

Ndryshe, dy javë më parë Valon Berisha u transferua nga LASK-u i Austrisë për te Zurichu i Zvicrës.

Gazeta tjetër austriake “Heute” shkruan se, Valoni bashkë me kushëririn e tij ishin nisur nga Zvicra për në Austri, i cili po i ndihmonte Valonit për t’u zhvendosur nga Austria te klubi i ri në Zvicër.