Sport

Medalje ari për Shqipërinë, 14 vjeçarja mposht serben në finale

Në këtë Botëror merrnin pjesë 4000 sportistë nga 78 vende të botës

Ekipi Shqipërisë i të rinjve në karate ka marrë pjesë në Ligën botërore të karatesë për të rinj që u mbajt në Kroaci në datat 26 deri 29 qershor.

4 sportistë kishte në përbërje të tij ekipi kombëtar i moshave 10 deri 21 vjeç, tre nga ekipi i Tiranës dhe një nga ekipi Bijtë e Shqipes Lushnje. Në këtë Botëror merrnin pjesë 4000 sportistë nga 78 vende të botës.

Karateistja 14 vjeçare e ekipit Bijtë e Shqipes Lushnje, Amanda Dedej është kthyer me medalje ari nga ky botëror. Në peshën nën 52 kilogram, karateistja u ndesh me gjashtë kundërshtare ku në finale mposhti serben Neda Mariçeviç, duke fituar 4- 0, transmeton albinfo.ch.

Trajneri i ekipit kombëtar të karatesë Lirim Dedej ndër të tjera u shpreh se ekipi kombëtar i Shqipërisë pas shumë arritjeve të tjera në ballkaniada e evropianë së fundmi ka sjellë më shtëpi medaljen e arit nga botërori i Kroacisë.

Fituesja e medaljes së artë në këtë ligë, Amanda Dedej, është 14 vjeçe dhe ka arritur gjithçka dhe tani synimi i saj është medalja e artë olimpike.